Matura, diplomë edhe për italishten
Nxënësit që do të mbarojnë shkollën e mesme, gjatë së cilës i janë nënshtruar dhe mësimit të gjuhës italiane, do të kenë mundësi që të marrin një diplomë mature, e cila do t’u njihet edhe në universitetet italiane. Për rrjedhojë, këta maturantë nuk do t‘i nënshtrohen më asnjë provimi në Shqipëri, për të vijuar studimet e larta në Itali. Këtë e siguron marrëveshja më e fundit, e nënshkruar mes ministrisë sonë të Arsimit dhe qeverisë italiane, e përfaqësuar nga nënsekretari i shtetit për Marrëdhëniet e Jashtme, Alfredo Mantica. Sipas ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, fillimisht marrëveshja do të zbatohet vetëm për tri shkolla të mesme në vend. “Deri tani projekti është aplikuar në shkollat e mesme të gjuhëve të huaja, përkatësisht në degët e gjuhës italiane. Me memorandumin që nënshkruam, projekti shtrihet në tri shkolla të mesme, madje nga më të mirat e vendit. Është gjimnazi 'Qemal Stafa' i Tiranës, '8 nëntori' i Shkodrës dhe 'Themistokli Gërmenji' në Korçë”, - tha ministri Tafaj. Duke iu referuar mbështetjes së vazhdueshme që i ofron qeveria italiane studentëve shqiptarë, që studiojnë në Itali, ministri Tafaj u shpreh se grupi i studentëve shqiptarë në Itali është grupi më i madh i studentëve të huaj. Sipas statistikave, studentët shqiptarë zënë mbi 50% të totalit të studentëve të huaj që studiojnë në Itali. Memorandumi i nënshkruar dje në ministrinë e Arsimit forcon bashkëpunimin për seksionet bilinguale për shkollat e mesme në Shqipëri. Kjo marrëveshje, mes ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ambasadës Italiane, synon të rrisë numrin e nxënësve që mësojnë gjuhën italiane, në Shqipëri. Por, në të njëjtën kohë, kjo marrëveshje do të ndikojë edhe në rritjen e cilësisë në shkollat ku zbatohet ky projekt. Gjithashtu, ministri Tafaj theksoi se memorandumi do të jetë një hapësirë e re për nxënësit dhe gjimnazistët, që do të përfundojnë gjimnazin në seksionin dygjuhësh, të cilët do të mund të përfitojnë një diplomë të gjimnazit, e cila është tërësisht e njohur në universitetet italiane e do të mundësojë pranimet e tyre në universitetet italiane pa asnjë provim. Falë bashkëpunimit, në kuadër të këtij memorandumi, nxënësit e shkollave të mesme, veçanërisht ata të shkollave të seksioneve bilinguale, do të shkëmbejnë përvojën e tyre me shkollat italiane, duke vendosur ura të reja bashkëpunimi, mes shkollave të Shqipërisë dhe Italisë.