Studentët e Mjekësisë vijojnë protestat
Studentët e Mjekësisë vazhdojnë të kërkojnë nga dekanati i këtij fakulteti anulimin e të gjitha konkurseve për specializimet. Ata kanë denoncuar sërish abuzimet që janë bërë me listat e fituesve, duke deklaruar se krahas Prokurorisë, pranë së cilës do të bëhen kallëzime të tjera penale, ndaj përgjegjësve, studentët do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre. “Anulimet e të gjithë konkurseve me gojë, në rastet kur nuk është zbatuar rregullorja e konkursit për specializimet afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë. Zhvillimin e konkursit me gojë, në bazë të rregullores, ku të drejtën e futjes në provimin me gojë e kanë vetëm fituesit në rang departamenti. Pra, fitojnë më të mirët, jo më bujarët e më fatlumët. Ne do të zbatojmë të gjithë hapat ligjorë, në të cilët ne gjejmë veten brenda kësaj rregulloreje. Kemi çuar në Prokurori, jemi ankuar në dekanat, ministri, rektorat, tani presim përgjigje nga personat përgjegjës”, - tha Elton Stojku, student mjekësie, departamenti i kirurgjisë. Në fakt, dyshimet që janë bërë shkak i protestave të studentëve të Mjekësisë, e kanë origjinën në zhvendosjen e pamotivuar dhe të papritur të listës së fituesve për kirurgjinë maksimo-faciale, duke eliminuar dy prej tyre dhe duke ngjitur në vendin e 2 dhe të 4, studentët e renditur në vendin e 9 dhe 10 të listës.