Kompensimi, 23 mijë hektarë tokë e lirë për ish-pronarët
Fondi fizik i tokave për kompensimin e ish-pronarëve është gati. Toka e pandarë në të gjithë vendin, që rezulton të jetë pronë e shtetit, sipas një inventari të ministrisë së Bujqësisë, rezulton të jetë mbi 23 mijë hektarë. Ministria e Bujqësisë ka tashmë gati inventarin e tokave të pandara, sipas qarqeve, rretheve, madje edhe fshatrave. Në këtë inventar rezulton se sipërfaqja më e madhe e tokës së pandarë shënohet në rrethin e Korçës dhe të Devollit. Ndërsa rrethet që nuk kanë asnjë metër tokë pronësi janë Saranda, Lezha dhe Delvina. Ky fond tokash, sipas ekspertëve të ministrisë së Bujqësisë, kanë të bëjnë me gjendjen juridike që kanë ato. Procesi i inventarizimit të tokave të pandara, që ka zgjatur me vite, tashmë është gati dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave mund të vejë në dispozicion të kompensimit fizik të ish-pronarëve. Dokumentacioni përkatës para se të përdoret për kompensimin e pronarëve, duhet të miratohet nga qeveria, e cili përmban të gjitha detajet për inventarin. Menjëherë pas marrjes në dorëzim të dosjeve, Agjencia e Kthimit të Pronave shqyrton dokumentacionin e dosjes së pronës të paraqitur nga institucionet. Shqyrtimi ka të bëjë nëse pronësia mbi këto pasuri u është njohur, kthyer apo kompensuar më parë subjekteve të shpronësuara. Nga ana tjetër shqyrtohen kërkesa apo ankesa, për njohje të pronësisë për pronat, të cilat bëjnë pjesë në listën e pasurive, që do të shërbejnë si fond për kompensim fizik. Në rast se për pronat, brenda fondit për kompensim fizik, evidentohen pretendime nga subjektet e shpronësuara, atëherë deri në nxjerrjen e vendimit për këto pretendime, pasuria në fjalë do të përjashtohet nga lista e fondit të pasurive të paluajtshme, që tashmë do të shërbejnë për kompensim fizik. Mirëpo fondi fizik i tokave, tashmë i evidentuar nga ministria e Bujqësisë, mbart me vete problemin madhor të cilësisë së tokës. Për shkak se boniteti i tokës së pandarë nuk është i lartë, çka nuk mbart një vlerë të madhe për kompensim. Tokat e pandara, që konsiderohen cilësore, sepse kanë një sipërfaqe më të madhe se 10 ha, janë rreth 23 080 hektarë, të shpërndara në 32 rrethe të vendit. Këto toka që konsiderohen si masive, ndodhen në 161 komuna dhe bashki dhe në 571 fshatra.