Matura, kopjimi me kufje, MASH vendos aparatura bllokimi
Matura Shtetërore 2013 do të jetë me e rreptë se vitet e kaluara sa i përket metodave të sofistikuara të kopjimit në provime. Aktualisht po merren të gjitha masat për të ndaluar çdo mundësi kopjimi nga ana e maturantëve.
Aparatura bllokimi
Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit kanë thënë dje në media se në 365 ambientet ku do të zhvillohet provim, do të vendosen bllokues për mjetet e komunikimit. Kjo do të sjellë një administrim më të mirë të provimeve, por do të shmang edhe rastet e ndryshme të kopjimit të cilat në kohët e sotme, me përparimin e teknologjisë, janë tepër të sofistikuara siç është edhe montimi i kufjeve të veçanta në aparatin e dëgjimit.
Specialistët
Në të gjitha zonat që do të kemi provim do të vendosim bllokues për mjetet e komunikimit elektronik. Komunikimi nuk është vetëm përmes celularit, po mund të ketë kufje të fshehta që montohen sikundër thonë në organet e dëgjimit dhe është e pamundur të shihen me sy”, thotë Ndriçim Mehmeti, shef i sektorit të monitorimit dhe vlerësimit në MASH.
Mësuesit mbikëqyrës
Mehmeti shton më tej se do të shtohen edhe kriteret për mësuesit që do të mbikëqyrin testet, të cilët në jo pak raste janë akuzuar për shkelje të rregullores. “Shumica kanë treguar korrektesë gjatë gjithë maturës shtetërore, dhe ne do të përjashtojmë të gjithë ata që nuk kanë treguar korrektesë. Administratorë do të merren ata që nuk janë të lëndëve përkatëse që do të thotë në letërsi nuk merren të letërsisë, dhe kur ka lëndë me zgjedhje bëhet rishpërndarja e tyre në mënyrë që ata të mos bien në lëndën që ata kanë”, tha Mehmeti.
Formularët online
Këtë vit një risi tjetër do të jetë edhe plotësimi online i formularit A1. Dhe për këtë MASH do të ndjekë një procedurë krejtësisht të re në plotësimin e tij. “Ky plotësim do të bëhet i përqendruar që do të thotë që përveç Tiranës që ka shumë, shkollat e tjera, do të kenë një mbikëqyrje nga një specialist të IT-së”, tha Mehmeti. Në rregulloren e Maturës Shtetërore janë përcaktuar edhe disa pika të veçanta për nxënësit emigrantë, që janë kthyer në vendlindje dhe që do të japin provimet e maturës. Ata që kanë përfunduar arsimin bazë në Shqipëri nuk do të japin provimin e gjuhës shqipe, ndërsa pjesa tjetër duhet ti nënshtrohen këtij testimi.