Matura, nis me kaos ngujimi i hartuesve të testit të letërsisë
Nisi me kaos ngujimi i specialistëve që do hartojnë tezat e provimit të letërsisë. Deri dje në mesditë ata nuk kanë mundur të nisin punën. Kjo për shkak të mungesës së policisë në ambientet e Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve. Me çantat dhe ushqimet e marra për 1 javë që do të qëndrojnë aty, hartuesve të testit u është dashur të presin në korridoret e institucionit. Burime nga AVA pohuan se forcat e policisë ishin të angazhuar ne aktivitete te tjera gjatë kohës që duhet të nisnin sigurimin e qendrës, ku hartohen testet e Maturës Shtetërore. Nga ana e saj Ministria e Arsimit mohoi vonesat e policisë, duke e justifikuar këtë fakt me mungesën e një orari fiks për ngujimin e specialistëve. Deri në datën 2 qershor, 17 specialistë do të qëndrojnë të izoluar në AVA. Ata do të hartojnë 7 lloje testesh sipas profilit të shkollave. Vetëm pasi të jenë shpërndarë testet e shumëfishuara dhe të ketë nisur provimi, specialistët do të mund të dalin nga agjencia. Testi i letërsisë do të përmbajë 25 pyetje, 13 me alternativa dhe të tjerat me shtjellim. Maturantët duhet t’u përgjigjen atyre brenda 2 orëve e gjysmë. Pas provimit të letërsisë, maturantët do të japin matematikën në datë 11 qershor. Këtë vit, ndryshe nga më parë, të gjithë kandidatët kanë të drejtën e ankimimit për rezultatet e provimit.