E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush i goditi gratë e verbra?

Saemira Pino 

Si qytetare e këtij vendi u ndjeva mirë që dje Presidenti reagoi ashpër për skenën e pak ditëve më parë përpara Kryeministrisë dhe kërkoi veprimin e institucioneve. Besoj se nuk do të harrohet lehtë ajo që ndodhi. Një njeri i neveritshëm që paradoksalisht mbante një emër simbol paqeje iu vërsul disa grave të verbra që protestonin paqësisht, shumë paqësisht përpara Kryeministrisë Ato ishin aty që të sensibilizonin qeveritarët tanë për të realizuar disa nga kërkesat e tyre shumëvjeçare! Ai-njeriu i neveritshëm, biznesmeni, mik i ruajtësve të Kryeministrit ua dha përgjigjen! Në mes të ditës, në mes të sheshit! Arsyeja? I kishin zënë rrugën. Kush janë ato që i dilkan përpara Atij? Kush janë ato që guxojnë e protestojnë dhe për më tepër aty, ku Ai do kalonte se kish një punë aty, brenda në kryeministri? Dhe Ata, miqtë e tij, ruajtësit e kryeministrit, të gjatë e të hijshëm, por po aq të neveritshëm si Ai - e përshëndetën të qeshur dhe me dashuri sikur donin t’i thoshin: faleminderit na e lehtësove punën!
U ndjeva keq, shumë keq. Mendova, kur këta njerëz veprojnë kështu ndaj njerëzve të pafuqishëm, të pambrojtur, ditën në diell, përpara një prej institucioneve më të rëndësishëm të këtij shteti, çfarë mund të bëjnë këta lloj njerëzish kur nuk i sheh askush? Kur dikush qoftë edhe pa dashur u del përpara e u pret rrugën? Kur nuk u ndodh ndonjë “aksident teknologjik” dhe paudhësitë u mbeten të varrosura? Më mirë të mos e japim përgjigjen.
Sigurisht që skena e neveritshme është përgjegjësi e aktorit kryesor të saj, e atij njeriut me emrin Pëllumb! (Asnjëherë nuk ka për ta marrë faljen nga ata që ndihen qytetarë!) Për fat të keq jo vetëm e atij! Pjesëmarrës jemi të gjithë nga pak! Të gjithë ne që heshtim, kur nuk jemi ne ata që goditemi drejtpërdrejt. Të gjithë ne që bëjmë indiferentin kur e keqja që rritet e përhapet akoma nuk na ka prekur ne! Përgjegjëse është dhe ajo pjesë e medias, që s’flet dhe s’sheh kur nuk i intereson. Ajo pjesë e medias që orientohet nga pushteti dhe fuqia, që e di se gënjen e mashtron, lustron e glorifikon, por aq i bën! Që me vetëdije të plotë dhe me zell krijon imazhe të shtrembëruara për pushtetarë dhe shakaxhinj të përparimit! 
Po atë natë, e prekur thellë, por brenda kërkesës dhe logjikës së emisionit i drejtova në kohë, z. Fevziu pyetjen: “A e kanë parë zonjat e rreshtuara djathtas, dhunën e ushtruar mbi 2 gra të verbra, që protestonin në paqe të plotë dhe humorin që u solli skena tronditëse, zyrtarëve-ruajtës të Kryeministrit?” Ndërsa kemi parë reagimin rrufe të gazetarit Fevziu për të përfshirë në emisionet e tij çdo ndërhyrje politikanësh edhe për arsye shpesh personale të tyret, çuditërisht kjo ndodhí nuk i ngjalli asnjë interes. Nuk duheshin shqetësuar mbase zonjat që po mbronin me zell arritjet e mëdha të qeverisë për një fakt të tillë! E kur nuk është i ndjeshëm një gazetar i miredukuar dhe profesionist çfarë mund të presësh nga ca të tjerë?
Përgjegjëse është patjetër dhe politika e mbi të gjitha ajo qeveritare. A nuk na ka ndodhur një katastrofë si ajo e Gërdecit dhe ish-ministri përgjegjës thërret nëpër Shqipëri: Votoni për mua! A nuk e vlerëson kryeministri atë si një nga bashkëpunëtorët e tij më të mirë? A nuk janë të përfshirë në këtë ngjarje të paprecedent të afërm të kryeministrit dhe ai nuk ndihet përgjegjës për asgjë?  A nuk ndodhi dhe kjo skenë nën dritaret e zyrës së tij? Atje ku ai rreket e mundohet për të mirën e çdo qytetari, përfshirë edhe të verbrit? Prandaj e do pushtetin edhe katër vjet të tjerë, sepse nuk arriti t’i realizojë të gjitha të mirat për qytetarët e tij të dashur? A nuk është ushqyese për atë skenë, arroganca e kryeministrit mbi çështjen Fazlliç (e kush mund të harrojë qeverinë e gjunjëzuar, kush nuk është fyer kur ka parë ministrat dhe drejtues të lartë të  ushtrisë në tryezën zyrtare me Fazlliçin, një njeri  që nuk e njihnin, por mjafton, ishte mik i kryeministrit? A nuk u mburr se e sillte atë mikun e tij biznesmen edhe ne Parlament, ai Kryeministri?!), arroganca ndaj Prokurores së Përgjithshme, arroganca ndaj çështjes së të ndjerit Remzi Hoxha, arroganca ndaj kundërshtarëve tij politikë, arroganca ndaj të vetëve që nuk janë dakord me të kurdoherë e për të gjitha, arroganca ndaj të vërtetës? Prandaj duhet të ikë sa më parë qeveria Berisha. Synon të deinstitucionalizojë gjithçka.  A nuk dhunohen njësoj si dy gratë e verbra edhe ata qytetarë që nuk gjejnë zgjidhje nëpër zyrat shtetërore, mësuesit që urdhërohen të dalin në mitingje politike me hir a pahir, qytetarët që detyrohen të paguajnë faturat e energjisë edhe pa e shpenzuar energjinë, ata të varfrit e shumtë që marrin ushqimin me lista dhe dëgjojnë shifra marramendëse suksesi ekonomik? 
Prandaj duhet të ikë sa më parë qeveria Berisha. Ajo dhunon gjithçka!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›