E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koço Danaj harton platformën e Shqipërisë natyrale

 

Në rast se politika shqiptare do të guxojë të bashkojë trojet shqiptare, atëherë ajo do të ketë gati një platformë për të ngritur argumentet e saj. Koço Danaj, politologu, i cili ka mbështetur prej shumë kohësh hapur tezën e bashkimit të trojeve, është autori i “Platforma e Shqipërisë Natyrale”. Pas librave, “Shqipëria Natyrale”, “Të Dënuar të Bashkohemi” dhe “Kryengritja e Pambaruar”, Danaj vjen me një botim prej 200 faqesh, në formën e një drafti politik, në të cilin mbrohet dhe argumentohet bashkimi i trojeve. Platforma, do të botohet në pesë gjuhë, shqip, anglisht dhe në gjuhët ballkanike fqinje, greqisht serbisht dhe maqedonisht. Pas daljes nga botimi, platforma pritet të prezantohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Mendohet që tirazhi i parë të arrijë deri në 50 mijë kopje.
Sipas Danaj, platforma e Shqipërisë Natyrale bazohet në trashëgiminë pozitive të shqiptarëve, qysh nga epoka e Skënderbeut dhe përvoja e Lidhjes së Prizrenit. Ajo bazohet në Kuvendin e Vlorës, i cili shpalli Pavarësinë e Shqipërisë Natyrale dhe jo të Shqipërisë që është sot. “Shqipëria që është sot është produkt i Konferencës së Londrës 1913. Platforma bazohet në Dokumentet e Konferencës së Bujanit të 31 janar 1943, që shpalli bashkimin e Kosovës me Shqipërinë pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore. Në betimin e luftëtarëve të UÇK në Kosovë, në trojet e tyre në IRJM, Luginë e Preshevës, i cili bashkimin e trojeve shqiptare e konsideron thelbin e luftës së tyre. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të miratuar me referendum Popullor në 1998, e cila bashkimin e Shqiptarëve e konsideron si një aspiratë të ligjshme dhe shekullore”. Politologu i njohur për tezat e tij mbarëkombëtare, shpjegon edhe pse është gjetur pikërisht tani koha për botimin e saj. “Platforma e Shqipërisë Natyrale është hartuar tani duke marrë parasysh realitetin politik rajonal. Ajo merr parasysh faktin se në mjediset politike  dhe qeverisjet demokratike rajonale, nuk ka tema tabu, midis të cilave edhe ato që kanë të bëjnë me thelbin e kombeve. Në hapësirën mbarë shqiptare, po bëhet kapërcimi i madh i kalimit nga Pluralizëm Krahinor në Pluralizëm Politik. Me vështirësi, por progresi duket, është i pranishëm. Dhe thelbi i Pluralizmit Politik është Shteti-Komb dhe jo shteti-multikomb apo shteti-principatë apo edhe shteti pa komb”. Platforma e Shqipërisë Natyrale analizon dhe merr parasysh, ndryshimet në gjeopolitikën rajonale, ndryshime që shkojnë në favor të kombit shqiptar, rirregullimet e thyerjeve të së kaluarës konfliktuale dhe riparimet e tyre nga vetë fuqitë e mëdha. Danaj shpjegon edhe mjetet që do të përdoren për realizmin e kësaj ëndrre të shqiptarëve. “Mjetet e realizimit të Shqipërisë Natyrale janë dialogu dhe debati demokratik. Shqiptarët përgjatë një shekulli kanë derdhur aq shumë gjak sa mund të bëjnë disa Shqipëri. Prandaj nuk ka më nevojë për gjak. Platforma mbështetet në sentencën: Dialog me këdo, Dialog për gjithçka, pa vendosur fillimisht për ndonjë gjë. Sot kur forca e së drejtës ka marrë përparësi mbi të drejtën e forcës, sot është momenti që shqiptarët duhet të kërkojnë të drejtat e tyre kombëtare. Për këtë arsye në Platformë i jepet përparësi debatit, dialogut, respektimit të thelbit të demokracisë që është vetvendosja e popujve dhe veçanërisht nevoja e referendumit popullor”. Por si çdo ide e tillë edhe botimi i Danaj, mund të krijojë probleme me fqinjët. Ai shpjegon se fqinjët nuk duhet të tremben nga Shqipëria natyrale. “Nacionalizmi shqiptar që respekton kulturën dhe traditat e fqinjëve, nuk është gjë tjetër veçse nacionalizëm i bukur, i dëshirueshëm, i padebatueshëm, i domosdoshëm për stabilitetin rajonal. Platforma argumenton tezën se Shqipëria Natyrale është një nocion progresist dhe duke qenë e tillë, progresist do të jetë edhe realiteti i saj i nesërm”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›