Gripi i derrave, “shpëton” diplomati
Fashitet paniku për prekjen e vendit tonë nga gripi i derrave. Analizat e diplomatit të dyshuar si i infektuar nga virusi i rrezikshëm dolën negative. Këtë konfirmoi dje në mbrëmje Instituti i Shëndetit Publik. Për fat të mirë Shqipëria është ende e “pastër”. Strukturat shëndetësore gjatë gjithë ditës së djeshme kanë qenë në alarm. Në mëngjes herët 57- vjeçari, Sajmir Rrepishti, diplomat në Ministrinë e Jashtme u paraqit në Spitalin Infektiv me shenja të ngjashme me ato të gripit të derrave. Ajo që shqetësoi më shumë bluzat e bardha ishte temperatura e lartë mbi 39 gradë dhe gjendja e rënduar shëndetësore. Menjëherë pacienti u izolua në sallën e reaminacionit. Dyshimet për virusin A-H1N1 ishin tepër të forta. Kjo pasi i sëmuri vetëm dy ditë më parë ishte kthyer nga jashtë vendit. Sajmir Rrepishti po kthehej nga Damasku dhe ishte tranzit në Vjenë, kur pati një gjendje të rënduar shëndetësore. Diplomati ka pasur temperaturë të lartë, ndaj mjekët austriakë kanë kërkuar që t’i bëhen analiza të detajuara sapo të mbërrinte në Shqipëri. Saimir Rrepishti, si punonjës i Ministrisë së Jashtme sëbashku me një pjesë tjetër të delegacionit shqiptar ka marrë pjesë në konferencën islamike për rezolutën e Kosovës. Rasti u raportua menjëherë në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila publikisht deklaroi se analizat laboratorike do të konfirmonin gjithçka.
Ministria
”Nuk ka vend për panik, pacienti dyshohet se mund të jetë prekur nga gripi i derrave, por jo çdo temperaturë e lartë është patjetër kjo sëmundje”, u shpreh Gazmend Bejtja, Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërkaq burime pranë këtij dikasteri pohuan se vetëm gjatë këtij muaji ka pasur 5 raste të dyshuara, por që kanë rezultuar negative .Gjithaq Ministria e Shëndetësisë sqaroi se kishte marrë listën e të gjitha personave që kishin udhëtuar me diplomatin dhe do të merrte të gjitha masat nëse konfirmoheshin dyshimet. Nën kujdesin e bluzave të bardha kanë qenë dje edhe familjarët e tij. Pas k onfirmimit të rasteve të gripit të derrave në Greqi e Rumani, strukturat shëndetësore tek ne janë vënë në gatishmëri maksimale. Të paktën këtë pohojnë drejtuesit e ministrisë. Kontrollet në pikat kufitare, sipas tyre, janë shtuar dhe çdo rasti të dyshuar i bëhen analiza të mëtejshme. Për çdo problem inspektorët sanitar apo punonjësit shëndetësor të kufirit duhet të referojë pranë Drejtorisë përkatëse të Shëndetit Publik ose të kontaktojë ISHP në numrin 2374756 ose në 0682414332 si edhe 0693087781 brenda 24 orëve. Duke mos përjashtuar aspak mundësinë e impritimit të virusit A-H1N1 edhe tek ne, ekspertët e OBSH kanë rekomanduar furnizimin e të gjitha pikave farmaceutike me antivirale, kryesisht Tamiflu. Ky medikament ka efekt vetëm nëse përdoret brenda 48 orëve nga fillimi i infeksionit. Sipas specialistëve, nëse pandemia do të ndodhë ajo zgjat deri në 8 javë dhe sipas parashikimeve mund të prekë 500 vetë në ditë dhe në kulmin e saj vdekshmëria shkon në 20 në dite. Gripi i derrit është një infeksion akut viral i rrugëve të frymëmarrjes së derrave që shkaktohet nga tipi A i virusit të gripit. Vdekshmëria te derrat është e ulët dhe shërimi ndodh brenda 7-10 ditëve, sqarojnë specialistët e ISHP-së.
Simptomat e gripit të derrave
Temperatura e lartë mbi 38 gradë
Kollë, të tështira, ftohje
Vështirësi në frymëmarrje
Skuqje e syve
Dhimbje kockash, muskujsh
Ndjesi dobësie e këputje
Mungesë oreksi
Të vjella dhe diare
Infektivi në gjendje alarmi, të gjithë vendosin maska mbrojtëse
Mjekë e infermierë të pajisur me maska mbrojtëse dhe ankth që u lexohej që në sy. Por pavarësisht kësaj personeli i spitalit infektiv përpiqej të dukej i qetë. Ato çka i tradhtonin ishin vetëm lëvizjet. Të para nga larg reflektonin një vrull pune përtej atij të zakonshmit. Ecejake, ngjitje me vrap të shkallëve e hapa të shpejtë. Por për shkak të alarmit se një rast me gripin e derrave dyshohej se po trajtohej në infektiv më të frikësuarit ishin pacientët. Në oborr dhe brenda në dhomat e pavijonit nuk flitej për gjë tjetër. Të gjithë përpiqeshin të merrnin vesh diçka më shumë. “E sigurt. Erdhi dhe te ne gripi”, ishin fjalitë që dëgjoheshin më shpesh. Teksa ngjiteshe në katin e dytë të spitalit, infermieret nxitonin të të tregonin ambientet e karantinës. ”Dhoma e gripit”, kështu lexohej në një letër të bardhë të ngjitur në derën e njërës prej dhomave të pavijonit. ”E kanë bërë gati. Këtu do të izolohet çdo pacient që mund të preket nga virusi i rrezikshëm. Ishalla jo, por ambienti i karantinës duhet për të shmangur kontaktet me të tjerët”, sqaronte njëra nga infermieret. Ndërkaq drejtues të këtij spitali pohuan për gazetën se kanë të gjitha mjetet mbrojtëse për personelin. ”Jemi furnizuar si me maskat mbrojtëse ashtu edhe me dezinfektantë që përdoren posaçërisht për rastet e gripit”, theksuan mjekët. Sipas tyre në spital nuk mungojnë as antiviralët e medikamente të tjera të nevojshme për trajtimin e të infektuarve. Spitali infektiv është i vetmi në të gjithë vendin që trajton rastet e rënda të infeksioneve të transmetueshme. ”I gjithë stafi është i përgatitur për çdo lloj situate. Kemi përballuar edhe epidemi edhe gripin e shpendëve”, u shprehën drejtuesit.
Tre raste të reja në Greqi, me grip derrash
Tre raste me gripin e derrave në Greqi dhe një rast në Rumani. Sa i përket shtrirjes territoriale, vendi ynë duket se është shumë pranë hartës së vendeve që kanë konfirmuar praninë e virusit të rrezikshëm. Zyrtarisht strukturat shëndetësore greke pranuan dje se numri i të infektuarve kishte shkuar në tre persona. Një 20-vjeçar që kurohet tashmë në spitalin AQEPA të Selanikut rezultoi i prekur nga virusi A-H1N1. Nga sa sqaruan drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë greke, 20-vjeçari është shok i një të riu që po kurohej në spitalin Sismanoglu të Athinës dhe që u konfirmua dy ditë më parë, si rasti i dytë i gripit të derrave. Te dy studentet jane kthyer nga Edimburgu para pak ditësh dhe duket se atje janë infektuar me virusin e gripit të derrave. Po ashtu Rumania identifikoi dje rastin e parë të infektuar me virusin e gripit H1N1 te një grua 30-vjeçare, e cila ishte kthyer nga Nju Jorku javën e kaluar. “Rumania i bashkohet zyrtarisht listes se vendeve te prekura nga virusi H1N1”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë Ion Bazac gjatë një konferencë për shtyp.