“Mashtruam SHBA me fishekët shqiptarë”
Bashkëpunëtorët e Efraim Diverolit u vetëshpallën fajtorë dje para Gjykatës amerikane, duke pranuar se kanë mashtruar Qeverinë amerikane me origjinën kineze të 12 milionë fishekëve, që AEY bleu nga Shqipëria. David Packouz, ish-zv/president i Kompanisë AEY dhe Aleks Podrizki, ish-agjent përfaqësues i Diverolit në Tiranë, pranuan akuzën në seancën e mbajtur dje në Gjykatën e Qarkut në Majami, SHBA. Gjyqtari Federal i Gjykatës së Qarkut në Majami, Joan Lenard i cili po shqyrton çështjen, caktoi seancën e shpalljes së vendimit për më 28 shtator 2009. procesi gjyqësor i adresohet se pari biznesmenit 23-vjeçar Efraim Diveroli, i cili me paratë e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, nënshkroi një kontratë me ndërmarrjen MEICO, Ministria e Mbrojtjes në Tiranë dhe bleu ngarkesa me fishekë kinezë, në shkelje të ligjeve amerikane që e ndalonin këtë veprim. Transaksioni u shoqërua me ripaketimin e fishekëve të cilët hiqeshin nga arkat e mëdha të trurit dhe më pas nga kutitë e hekurit, ku ishin vendosur mbishkrimet “Made In China”. Ripaketimi i municioneve që dilnin nga depot shqiptare bëhej në Rinas, fillimisht nga biznesmeni Kosta Trebicka, i cili vdiq vitin që shkoi dhe më pas nga Dritan Minxolli, drejtor i fabrikës së Mihal Delijorgjit në Gërdec. Efraim Diveroli, në cilësinë e presidentit të kompanisë së kontraktuar nga Departamenti i Mbrojtjes, konsiderohet përgjegjësi kryesor për mashtrimin e Qeverisë amerikane, e cila ndalon tregtimin e municioneve dhe armatimit kinez. Mediat ndërkombëtare raportuan dje se Diveroli, përkundër deklaratave të ish-zv/presidentit të kompanisë AEY, dhe ish-agjentit përfaqësues në Tiranë, i ka mohuar akuzat për mashtrim të autoriteteve me origjinën e fishekëve. Të njëjtin qëndrim me Diverolin, ka mbajtur edhe një ish-punonjës i kompanisë AEY, Ralf Merrill, i cili ka mohuar fshehjen e origjinës kineze të fishekëve që bliheshin në Shqipëri dhe dërgoheshin në Afganistan për llogari të Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
Afera e armëve
Çështja e cila u denoncua nga gazeta amerikane “New York Times” disa ditë pas tragjedisë së Gërdecit, ka hedhur dyshime serioze në adresë të institucioneve shqiptare që i shitën municione kineze kontraktuesit të SHBA-ve në kundërshtim me ligjet amerikane. “Pas ngjarjes së rëndë, të ndodhur në ambientet ku ushtrohej aktiviteti i shoqërisë “Albademil” sh.p.k., për demontim dhe çmilitarizim municionesh, në Gërdec, janë bërë të njohura fakte, sipas të cilave ka pasur abuzime me municionet e dërguara nga Shqipëria në Afganistan në funksion të kontratës që ndërmarrja MEICO ka pasur me shoqërinë AEY Inc dhe EVDIN Ltd”, thuhet në një raport të Prokurorisë shqiptare. Sipas tij, ndërmarrja ushtarake MEICO, më 18 maj 2007 kish hyrë në marrëdhënie kontraktuese për shitje municioni luftarak me shoqërinë AEY Inc, me president Efraim Diveroli, i cili nga ana e tij ka pasur kontratë me Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për blerje fishekësh luftarakë kalibër 7.62 mm për t’i dërguar në Afganistan. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë të ndaluar me ligj blerjen dhe tregtimin e armëve dhe municionit ushtarak të prodhimit kinez, shoqëria amerikane AEY e Diverolit ka kontraktuar nëpërmjet shoqërisë EVDIN Ltd, me ish-drejtorin e ndërmarrjes shqiptare MEICO, të pandehurin Ylli Pinari dhe ka treguar municione të prodhimit kinez. Për të fshehur origjinën e municioneve që tregtoheshin, z.Diveroli ka rënë dakord me të pandehurin Pinari që ato të ripaketoheshin, e në funksion të kësaj, fillimisht është nënkontraktuar shoqëria “XHOI” sh.p.k me administrator z.Kosta Trebicka e më pas në procesin e paketimit të municioneve është përfshirë drejtori ekzekutiv i shoqërisë “Albademil” sh.p.k, i pandehuri Dritan Minxolli. I përfshirë në këtë proces si palë, rezulton të jetë edhe shoqëria EVDIN Ltd me president shtetasin zviceran Heinrich Thomeit dhe me përfaqësues në lidhjen e kontratës, shtetasin nga Bosnje Hercegovina, Adnan Sarajlic, me detyrë menaxher marketingu pranë kësaj shoqërie me seli në adresën: Thermopylon 1, 6023 Larnaca, CYPRUS. Pagesta sipas partive të municionit që blihej, shoqëria AEY Inc., i dërgonte në numrin e llogarisë bankare EVDIN Ltd, e kjo e fundit mbyllte ciklin, duke kaluar një pjesë të tyre, që korrespondonin me sasinë e mallit të shitur sipas çmimit real në favor të ndërmarrjes MEICO. Gjatë fazës së zbatimit të kësaj kontrate, sipas hetimeve, kanë dalë dhe probleme të tjera, pasi presidenti i shoqërisë amerikane AEY Inc, Efraim Diveroli ka mësuar se çmimi me të cilin ai blinte municionet, ishte pothuaj 2 herë më i lartë se ai i përcaktuar në dokumentacionin e ndërmarrjes “MEICO”. Prokuroria thekson së për këtë arsye Diveroli ka ardhur në Shqipëri për të biseduar me drejtuesin e kësaj ndërmarrje, Ylli Pinari. “Takimi është zhvilluar në një ambient të fshehtë (në një apartament), ku merrnin pjesë edhe 2 persona të tjerë, njëri prej të cilëve administratori i shoqërisë Albademil sh.p.k., i pandehuri Mihal Delijorgji”, thekson prokuroria. tr.so
Pjesë nga dëshmia e Trebickës për Diverolin
“Atë natë mora një telefonatë nga zoti Efraim Diveroli që më pyeti mua se si ishte puna dhe se sa donte të më paguante për të. Ai tha se oferta e tij për të gjithë punën ishte 250 mijë dollarë amerikanë. Nisa t’i argumentoj se ky nuk ishte një çmim i leverdishëm për mua. Ai më tha se për momentin ishte duke humbur para dhe më premtoi se do të kapte një punë akoma më të madhe në Shqipëri dhe se do më merrte si nënkontraktues, kështu që nuk duhej të bëhesha lakmitar dhe të kërkoja kaq shumë menjëherë. Përfundimisht ramë dakord për 280 mijë dollarë amerikanë.
- Pas pak më pyeti, nëse kishte shënime në gjuhën kineze mbi arkat e drurit apo brenda kutive metalike.
U përgjigja se nuk u kisha kushtuar vëmendje dhe e pyeta pse. Ai sërish më pyeti, nëse kishte etiketa brenda kutive apo ndonjë gjë të shkruar te letra kafe, që mbështillte dhjetë fishekë së bashku. Sërish iu përgjigja se nuk e kisha vënë re një gjë të tilla dhe e pyeta pse.
Ai mu përgjigj: “OK, OK, vazhdo me punën dhe sigurohu që asnjë letër e shkruar të mos përfundojë brenda kutive të kartonit.” Isha i habitur.
Ditën tjetër takova Aleksin dhe i kërkova të më jepte dokumentet e nevojshme dhe kontratën. Ai tha se Efraimi do e bënte një gjë të tillë”.
- Ai më pyeti sërish, nëse kishte mbishkrime kineze mbi kutitë metalike. Thashë që po. Më tha që do fliste me Aleksin. Më telefonoi sërish dhe më tha se duhej t’i shpaketonim nga gjithçka. Isha i habitur dhe dyshues.