E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, përcaktohen mjediset e provimeve



Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve ka përcaktuar dje mjediset e provimeve të Maturës Shtetërore. Në ndryshim nga vitet e kaluara, AVA ka përcaktuar herët mjediset ku do të kryhen provimet, në mënyrë që të mos ketë probleme të çastit të fundit. Përcaktimi i mjediseve u krye pas detajimit të numrit të maturantëve që do të marrin pjesë, sipas shkollave, çka u mundësua vetëm pas depozitimit në këtë agjenci të formularëve A1.

Burime nga Agjencia bënë dje të ditur për “standard” se mjediset “janë përcaktuar në bazë të kritereve të ministrisë” dhe se “nuk ka pasur probleme gjatë listimit të tyre”. Në këtë mënyrë, AVA ka siguruar nxënësit se nuk do të ketë probleme të çastit të fundit në të gjithë vendin.

Ky përcaktim është bazuar në rregullat e rrepta, që janë vendosur edhe për mjediset ku do të kryhen provimet. Kështu, mjedisi i provimit është i mjaftueshëm minimalisht për 15 nxënës dhe largësia mes nxënësve është të paktën 1 metër e 20 centimetra, si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa, për të minimizuar mundësinë e kopjimit.

“Në ditën e provimit nuk zhvillohen aktivitete të tjera që ndërpresin provimin. Mjediset të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara. Në mjediset ku zhvillohet provimi nuk ka postera, tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim”, – përcakton rregullorja e nënshkruar nga ministri i Arsimit, z. Fatos Beja.

Nxënësit duhet të ulen me fytyrë në një drejtim gjatë orës së mësimit, ndërkohë që duhet të kenë në dispozicion një sipërfaqe banke prej minimalisht 40 me 60 centimetra. Një tjetër rregull i përcaktuar është që çdo mjedis që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, të ketë komunikim me rrugë automobilistike, si masë sigurie për raste të veçanta.

Procedurat e hyrjes dhe të zhvillimit të provimeve janë të përcaktuara deri në detaje. Kështu, nxënësi duhet të paraqitet në shkollë të paktën një orë përpara sesa të fillojë provimi, kohë gjatë së cilës do të kryhet identifikimi i të gjithë nxënësve, të cilët më pas do të hyjnë në klasat dhe vendet e parapërcaktuara. Më pas, administratorët e provimeve do të njohin nxënësit me të drejtat dhe detyrat e tyre gjatë orës së provimit.

“Procesi i identifikimit të çdo nxënësi/kandidati gjatë hyrjes së tyre në mjediset e provimit kryhet nga përgjegjësi i administrimit të provimit. Me kërkesën e tij, ai mund të ndihmohet nga drejtori i shkollës, administratorët e provimit dhe administratori i sekretimit”, – përcakton rregullorja e maturës.

Në klasat e provimeve nuk kanë të drejtë të hyjnë mësuesit e shkollës ku jepet provim, madje as drejtori i shkollës, i cili ndonëse lejohet të qëndrojë në mjediset e saj, nuk lejohet të hyjë në klasa. Hyrja e nxënësve do të kryhet në bazë të listave të përpunuara nga AVA dhe në rend alfabetik për të shmangur çdo lloj mundësie abuzimi dhe lejohet të hyjnë në provime vetëm ata që janë të shpallur në listë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›