E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunimi, parim i pazëvendësueshëm për NATO-n



Nga Enkelejd Alibeaj*

Është kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë dhe të flas për këtë ngjarje jubilare që na dha mundësinë të përkujtojmë dhe vlerësojmë arritjet e NATO-s gjatë ekzistencës së saj 60-vjeçare për të diskutuar për të ardhmen e organizatës dhe sfidat që shtrihen para nesh. Qeveria shqiptare jep vlerësimin e saj maksimal për rolin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që për gjysmë shekulli ka krijuar një lidhje thelbësore mes NATO-s dhe parlamenteve të shteteve anëtare në promovimin e parimeve dhe vlerave të Aleancës. Më lejoni gjithashtu të theksoj se Kuvendi i Shqipërisë ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e ratifikimit të protokolleve të hyrjes së Shqipërisë në NATO dhe njëkohësisht, të falënderoj përfaqësuesit e parlamenteve përkatëse të vendeve të NATO-s për ratifikimin e tyre të protokollit të hyrjes së Shqipërisë në një kohë rekord. Edhe disa vjet më parë, askush nuk mund të guxonte të mendonte se edhe Shqipëria do të ishte pjesë e përkujtimeve të 60-vjetorit të themelimit të NATO-s si anëtare me të drejta të plota. Hyrja e Shqipërisë në NATO u bë në një kohë kur Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së hyri në fuqi dhe kur Shqipëria tashmë ka paraqitur kërkesën e saj për statusin e vendit kandidat në BE. Anëtarësimi në NATO mbyll një cikël të përpjekjeve të pashtershme, reformave të plota dhe transformimeve të pamohueshme që Shqipëria ka pësuar gjatë mandatit aktual të qeverisë shqiptare; këto falënderime shkojnë gjithashtu për bashkëpunimin efektiv midis qeverisë dhe opozitës në lidhje me disa prej reformave që janë të nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancë. Mbi të gjitha, anëtarësimi në NATO nënkupton njohjen e arritjeve dhe besimit tonë në potencialet e Shqipërisë për të kontribuar kryesisht në konsolidimin e sistemit të sigurisë kolektive dhe vlerat e përçuara nga Aleanca.

Gjatë viteve të përpjekjeve të Shqipërisë për t’iu bashkuar Aleancës, partnerët tanë kanë arritur të tregojnë vlerësimin e tyre për përpjekjet e pakursyera të bëra nga qeveria e Shqipërisë dhe shoqëria, kryesisht në trajtimin në mënyrë të suksesshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rezultatet e padiskutueshme të arritura në përputhje me të gjitha standardet e kërkuara për anëtarësimin në NATO janë shumë të rëndësishme dhe theksojnë progresin e pakthyeshëm të Shqipërisë. Hyrja e Shqipërisë në NATO është një dëshmi e qartë e besueshmërisë që ne rrezatojmë si aleatë të denjë - aleatë që mund të japin kontribut thelbësor ndaj sistemit të sigurisë kolektive evropiane dhe mbrojtjes së lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Këto janë vlerat kryesore të Aleancës që ne kemi përqafuar pa asnjë dyshim ose hezitim menjëherë pas rënies së komunizmit dhe daljes nga vetizolimi ndërkombëtar.

Besueshmëria që Shqipëria ka krijuar në arenën ndërkombëtare, qëndron në orientimin tonë të politikës së jashtme drejt vlerave që garantojnë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në kontributin që Shqipëria po jep përmes angazhimit të saj të suksesshëm në disa “pika të nxehta” që sfidojnë sigurinë tonë të përbashkët, si për shembull në Afganistan, Irak dhe Çad. Ky orientim gëzon mbështetjen absolute të popullit shqiptar dhe lind nga besimi ynë i palëkundur në vlerat perëndimore dhe evropiane, mbrojtja e të cilave përfaqëson raison d’être për themelimin e Aleancës së Atlantikut Verior. Megjithatë, ndërsa i bashkohet NATO-s, Shqipëria ndesh gjithashtu një cikël të ri sfidash dhe transformimesh të mëtejshme në përmbushjen e detyrimeve politike, financiare dhe ushtarake që lindin nga anëtarësimi i saj në Aleancë. Ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se kjo barrë përgjegjësish kërkon vullnet të fortë për monitorimin e reformave të përgjithshme dhe përmirësimin e standardeve që do të na mundësonin të përballonim me sukses sfidat e reja që kërcënojnë sigurinë tonë dhe vlerat e përbashkëta: terrorizmi, përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, krimi i organizuar dhe trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike. Në këtë drejtim, Shqipëria është e gatshme të vazhdojë kontributin e saj me përgjegjësi, seriozitet dhe angazhim maksimal në interes të unitetit të Aleancës dhe efektivitetit të punës së saj si në terren dhe në sferën politike. Qeveria shqiptare është e bindur se zgjerimi i mëtejshëm i Aleancës, sipas nenit 10 të Traktatit të Uashingtonit, do të vazhdojë. Dyert e NATO-s, pas Deklaratës së Strasburgut – Samiti i Kehlit, mbeten të hapura për demokracitë evropiane që ndajnë me ne vlerat e Aleancës sonë; asnjë vend jashtë Aleancës nuk do të pengonte zgjerimin e saj. Si partnere e pazëvendësueshme dhe strategjike në rajon, hyrja e vendeve të Ballkanit perëndimor në NATO ka shërbyer dhe do të shërbejë për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe paqen në rajon, për të ndërtuar dhe forcuar më tej harmoninë mes vendeve tona. Gjithashtu, zgjerimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit në kontekstin e Kartës së Adriatikut do të ketë ndikimin e saj mbi forcimin e klimës së besimit, sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal, me synim konsolidimin e paqes dhe sigurisë dhe përshpejtimin e ritmit të reformave që do t’i çonin vendet e rajonit tonë më shpejt në BE. Në këtë kontekst, Shqipëria mirëpret fillimin e Dialogut të Intensifikuar mes NATO-s, Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi dhe progresit të këtyre vendeve në bashkëpunimin e tyre me NATO-n në të gjithë gamën e çështjeve politike, ushtarake dhe të sigurisë; Shqipëria është gjithashtu e gatshme të ofrojë bashkëpunimin e saj maksimal dhe përvojën e fituar përmes procesit të MAP-së për vendet e rajonit që marrin pjesë në PfP. Mbështetja dhe solidariteti i ndërsjellë në rrugën drejt integrimit në NATO u konfirmuan edhe kohët e fundit nga Deklarata e Përbashkët e Ministrave të Jashtëm të Shteteve Anëtare të Kartës së Adriatikut gjatë takimit të Komisionit të Partneritetit të mbajtur në Tiranë, më 8 maj 2009. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe ish-Jugosllavisë i dha një dimension të ri konceptit strategjik të NATO-s, duke forcuar fushën e veprimit të aktivitetit të Aleancës. NATO-ja ishte forumi i parë euroatlantik që përqafoi pa hezitim konceptin e paqes demokratike, e cila ngushtësisht kombinon sigurinë ndërkombëtare me qeverisjen demokratike të shteteve.

60 vjet më parë, institucionet euroatlantike u themeluan si mëshirim dhe mbrojtës të lirisë individuale, demokracisë dhe të drejtave njerëzore. Ishin pikërisht këto të drejta dhe parime që shtynë NATO-n të ndërhynte në rajonin tonë, duke e kthyer në kontributin më të çmuar për sigurinë evropiane dhe më gjerë. Sot, i vlerësojmë vendimet për të ndërhyrë në ish-Jugosllavi, si të guximshme, parimore dhe largpamëse. Ato jo vetëm që shpëtuan njerëzit nga tragjedia, por u dhanë të gjitha etnive shansin për të pasur një të ardhme për veten dhe familjet e tyre, duke ju siguruar parakushtet për rritje dhe zhvillim social. Parimi i ri që NATO aplikoi në Kosovë për mbrojtjen dhe ruajtjen e të drejtave të njeriut i tejkaloi kufijtë kombëtare. Paqja dhe stabiliteti në Kosovë ishin një nga provat kryesore për NATO-n në terren. Kjo provë nuk mund të kishte kaluar me sukses pa kontributin ushtarak të vazhdueshëm të shteteve anëtare të Aleancës, pjekurinë shembullore të njerëzve dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të qeverisë të Kosovës. Sot, Kosova është një realitet i konsoliduar i njohur nga 58 shtete, të cilat nëpërmjet vendimeve të tyre kanë njohur siç duhet, në mënyrë objektive realitetin në Ballkanin Perëndimor dhe progresin e dukshëm të shtetit të Kosovës në ngritjen e shtetit ligjor, në forcimin e institucioneve në rrugën e integrimit të saj drejt kombeve të lira dhe shoqërive demokratike. Në përvjetorin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, kjo Aleancë e madhe, nuk mund të mos kujtojmë që NATO u themelua 60 vjet më parë, duke ndarë besimin se Evropa e pasluftës – Evropa që ne sot trashëgojmë, mund të shkëlqente nën dritën e vlerave të lirisë, demokracisë dhe të shtetit ligjor. Janë pikërisht këto vlera, detyrimet dhe objektivat të mbajtura në Traktatin e Uashingtonit që siguruan paqe dhe stabilitet për komunitetin transatlantik gjatë 60 viteve të fundit. 60 vjet pas themelimit të NATO-s, bota ka pësuar ndryshime ekstreme. Nga një botë politikisht, ideologjikisht dhe ekonomikisht e ndarë: në Traktatin e Varshavës, Aleanca e Atlantikut të Veriut, vendet neutrale madje dhe të izoluara si Shqipëria, sot ne kemi një botë që pavarësisht nga sfidat e vazhdueshme është gjithnjë e më shumë integruese dhe bashkëpunuese. Ndërsa mbështetemi në parimet bazë të OKB-së, jemi të bindur se paqja dhe siguria mund të arrihen vetëm nëse institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare do të bashkëpunojnë mes tyre, duke përfshirë Aleancën tonë si pjesë të rrjetit të veprimeve të sigurisë mbarëbotërore. Shqipëria e vlerëson këtë parim të pazëvendësueshëm dhe mbështet bashkëpunimin e NATO-s me OKB-në nëpërmjet Deklaratës së Përbashkët NATO-OKB, të nënshkruar në shtator 2008. Ajo njeh rëndësinë e fuqizimit të mbrojtjes evropiane duke ngritur kapacitetet dhe aftësitë e kësaj force, duke parur parasysh faktin që këto dy organizata kanë role plotësuese në sigurimin e sigurisë evropiane dhe ndërkombëtare. Në këtë kuadër, ne mbështesim idenë se promovimi i marrëdhënieve NATO-OKB në një partneritet të vërtetë strategjik duhet të jetë një prioritet për Aleancën. Si e tillë, ne i qëndrojmë idesë se NATO dhe Federata Ruse duhet të gjejnë mënyrat dhe mjetet për të forcuar aftësitë e tyre për të punuar së bashku si partnerë në fusha me avantazhe të përbashkëta, kundër rreziqeve dhe kërcënimeve të përbashkëta, të cilat prodhojnë paqe të përhershme në zonën euroatlantike. Kjo mund të realizohet kryesisht nëpërmjet bisedimeve në Këshillin Rusi-NATO, një forum ku Rusia mund të adresojë nismat e saj të sigurisë. Realizimi i suksesit të dëshiruar kërkon gjithashtu bashkëpunim me organizatat rajonale, si OSCE dhe Bashkimi Afrikan. Në lidhje me angazhimet e përbashkëta në favor të paqes dhe sigurisë globale, ne vlerësojmë angazhimin dhe bashkëpunimin nga vendet partnere që marrin pjesë në NATO, që drejtojnë operacione dhe misione. Ky partneritet përkrah kryesisht aftësinë për t’iu përgjigjur kërcënimeve kundër sigurisë tonë.

Duke pasur parasysh ndryshimet dhe sfidat para nesh, mendojmë se ka ardhur koha për organizatën të zhvillojë një koncept të ri strategjik, i cili mund të diskutohet dhe miratohet në forumet e ardhshme të NATO-s.

*Ministër i Drejtësisë. Fjala në përkujtim të 60-vjetorit të NATO-s në Romë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›