E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë me shefin e Qarkullimit Rrugor, Xhemal Lushaj



Shefi i Qarkullimit Rrugor të Qarkut, Xhemal Lushaj, ka folur për “standard” mbi masat e marra për sezonin e ri veror 2009, duke shprehur angazhimin maksimal të efektivave të tij dhe masat e marra. Sipas tij, “sezoni i ri nuk do të ketë probleme me gjithë fluksin e madh që parashikohet me ardhjen e mijëra turistëve vendas dhe të huaj”.

Zoti Lushaj, cilat janë problemet dhe masat e marra nga Qarkullimi Rrugor për sezonin e ri veror 2009, kur dihet se vitin e kaluar ka pasur mjaft probleme me aksidentet?

Po është e vërtetë se vjet ka pasur probleme, por sektori i Qarkullimit Rrugor për sezonin e ri turistik veror 2009 ka rritur gatishmërinë dhe ka marrë masat radikale për të përballuar me sukses, me ecuri normale, pra pa aksidente dhe pasoja drastike për jetën e pushuesve, këtë sezon turistik. Problemet tona janë të shumta. Durrësi përballet me trafikun e rënduar çdo ditë, ne përballemi në ditë të zakonshme me një fluks mjetesh që arrin prej 10 mijë të tilla në ditë jave dhe mbi 40 deri 50 mijë në fundjavë, çka mendoj se do të rritet si numër në sezonin e ri. Mendoj se Durrësi, duke qenë njëherësh edhe qytet-porti më i madh i vendit ku ikin e vijnë mijëra pasagjerë dhe mjete, problem mbetet sinjalistika, duke dashur të deklaroj këtu se edhe bashkia dhe strukturat e saj, kanë nisur bashkëpunimin me ne, duke marrë masat për të sensibilizuar edhe popullatën për të mos dëmtuar dhe zëvendësuar atje ku ato mungojnë. Gjithashtu, KESH-i duhet të sigurojë energjinë elektrike kur ka pikun e sezonit për të mos munguar funksionimi i semaforëve. Efektivat tona kanë marrë masat e duhura, ne jemi angazhuar të nisim patrullimet tona nga hyrjet e portit, daljet e tij, Ura e Dajlanit, qendër, unaza ekzistuese, akset e tjera rrugore, duke siguruar trafik normal. Apel u bëj të gjithë qytetarëve, të mos lejojnë automjetet e tyre të përdoren nga fëmijë nën moshat 18 vjeç, aq më tepër se ata janë prej kohësh burim aksidentesh. Durrësi mendoj se do të ketë deri në fund të shtatorit peshën kryesore të fluksit rrugor dhe njerëzor, ndaj mendoj se bashkëpunimi edhe me strukturat e pushtetit vendor, edhe ndërmarrjet e tjera nacionale duhet të jetë perfekt. Ashtu si edhe vjet edhe ky sezon pritet të sjellë në rrugët e Durrësit mbi 50 mijë automjete në çdo muaj (plus ato që zbresin nga tragetet) çka e ka bërë evidente edhe rritjen e masave, efektivit dhe pajisjeve logjistike të sektorit të Qarkullimit Rrugor. Akset kryesore si bulevardi kryesor, stacioni i trenit, Ura e Dajlanit, sheshi “Taulantia”, rruga e portit detar dhe shumë akse te tjera do të jenë nën mbikëqyrjen tonë të rreptë. Ne shumë shpejt do të nisim një aksion në shkallë qarku për të bllokuar të gjitha mjetet motorike që përdoren nga persona të papërgjegjshëm, duke nisur nga motoçikletat, veturat dhe mjetet e tjera motorike.

Pra, ju siguroni një sezon të qetë edhe në lëvizjet e makinave në brezin e rërës, pasi vjet ka pasur raste të aksidenteve?

Deklaroj se qysh tani ne dhe bashkia kemi vendosur rregullin dhe ligjin dhe nuk ka asnjë biçikletë e jo makinë të kapërcejë brezin e rërës dhe të lëvizë mes çadrave të pushuesve. Mjafton të përmend se vetëm gjatë aksioneve tona gjatë këtyre ditëve pa nisur mirë sezoni, janë bllokuar 156 automjete dhe gjobitur 324 persona.

Bashkëpunimi me institucionet e pushtetit vendor mbetet “thembra e Akilit” për të vendosur trafik të qetë me sinjalistikë të nevojshme?

Mendoj se bashkëpunimi institucional ka qenë i mirë, sepse shpesh ndërmarrjet respektive që kanë detyrimin ligjor të kujdesen për shenjat e sinjalistikës, e kryejnë atë, duke mos krijuar probleme edhe për ne dhe drejtuesit e automjeteve. Mendoj se ligji duhet të veprojë mbi ata dhe shkelësit e rregullave njëlloj. Durrësi njihet si qyteti që prej vitesh nga bashkia nuk ka shenja të sinjalistikës turistike dhe rrugore, ku shpesh ne kemi qenë në debate të hapura mediatike dhe publike duke kërkuar nga ata të mos e delegojnë problemin politikisht, sepse bëhet fjalë për një turist që nuk e di se ku ndodhet Amfiteatri apo për një të huaj apo vendas që kërkon të orientohet me shenjat e sinjalistikës dhe emërtimet e tjera. Sinjalistika pas apelit tonë ka nisur të vendoset në pikat kyçe. Shpesh policët rrugorë kanë kryer deri vonë detyrën e punonjësve të bashkisë. Mendoj se sezoni ri veror 2009 do të nisë duke vendosur sa më parë ura bashkëpunimi mes dy institucioneve tona që i shërbejnë gjithsesi shtetit ligjor dhe qytetarit. Ky sezon ka nisur mbarë edhe për faktin se ne kemi nisur prej muajsh bashkëpunim të mirë institucional edhe me Policinë Bashkiake.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›