E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndan bursa për kualifikim profesional për 50 gra të papuna

20/03/2009  Bashkia e Tiranës

Shpërndahen bursa studimi për kualifikim profesional të grave të papuna në kryeqytet. Ndonëse niveli i papunësisë te kjo kategori mbetet në shifra të larta, Bashkia e Tiranës ka marrë përsipër që fillimisht të kontribuojë në aftësimin e tyre profesional e më pas rishikimin e mundësive të punësimit. Gjatë aktivitetit të zhvilluar dje ky institucion ka shpërndarë rreth 50 bursa studimi për gra të papuna. Dhënia e këtyre bursave do të ndihmojë këtë kategori në marrjen e njohurive bazë në profesione të caktuara, si sekretari, rrobaqepësi, kujdestari fëmijësh e lloje të tjera të ngjashme. I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe kreu i Bashkisë Edi Rama, i cili ka pohuar se do të jetë prioritet ndërmarrja e projekteve të tjera të ngjashme për të luftuar papunësinë, që sipas tij sa vjen e thellohet për shkak të mosmarrjes së politikave të duhura ndaluese. "Papunësia është një plagë që po thellohet përditë, edhe për faktin se prej vitesh mungojnë politikat largpamëse për punësimin, mungojnë ato rrugë që u japin mundësinë njerëzve. Ndërkohë që bashkia do të synojë në zhvillimin e këtyre kurseve të kualifikimit, pasi zanatet e ndryshme në vend sa vijnë e zhduken”, - ka pohuar Rama. Panorama e krijuar sipas kryebashkiakut ka ardhur për shkak të mungesës së zhvillimit të arsimit profesional, ndërkohë që shumë nga ata që mbarojnë universitetet mbeten pa punë. Gjithashtu Rama ka shtuar se ky projekt i Bashkisë, i mbështetur dhe nga shoqata dhe fondacione, si ai “Abraham Linkoln”, Kryqi i Kuq, do të shtrihet në të gjitha zonat e periferitë e kryeqytetit. Megjithatë, prioriteti kryesor do të jenë zonat në të cilat fenomeni i papunësisë është edhe më i goditur.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›