Riciklimi i mbetjeve, Konfindustria, marrëveshje me një kompani austriake
Biznesi shqiptar po përpiqet të gjejë rrugëzgjidhje për të dhënë kontributin e tij në riciklimin e mbetjeve në Shqipëri. Biznesi prodhues i grupuar pranë Konfindustrisë ka gjetur mbështetje nga një kompani austriake për të realizuar një projekt për riciklimin e mbetjeve në vendin tonë. Konfindustria njoftoi dje se tashmë kanë përfunduar bisedimet e dyanshme dhe do të jetë partneri institucional i kompanisë “Brantner gmbh”, Austri, operatori lider i industrisë austriake të riciklimit të thellë të mbetjeve të ngurta, për zbatimin e një projekti strategjik të përmirësimit rrënjësor të sistemit të riciklimit të mbetjeve në Shqipëri, me qëllim tejkalimin e gjendjes të vështirë së tashme të sektorit në fjalë me ndikim të drejtpërdrejtë negativ në standardet e ulëta mjedisore në vend. Prania e kompanisë në fjalë është bërë e mundur gjithashtu me mbështetjen e drejtpërdrejtë të qeverisë austriake nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit të Austrisë (ADA). Duke pasur parasysh gjendjen tepër të vështirë të sektorit në fjalë në Shqipëri vlerësohet se do të duhen investime mjaft të mëdha prej qindra e qindra milionë eurosh dhe për më shumë që duhet të mobilizohen në një kohë të shkurtër nga industritë dhe shteti për përmirësimin dhe plotësimin e standardeve të detyrueshme ambientale të BE-së për mbetjet e ngurta. Kjo do të thotë se nëse nuk merren sa më shpejt masa të gjithanshme për uljen e kostos së investimeve të domosdoshme për mjedisin nëpërmjet përmirësimit rrënjësor të ngritjes dhe menaxhimit modern të sistemit të riciklimit të mbetjeve, do të rëndohet ndjeshëm zhvillimi ekonomik i vendit ose në rast të kundërt, do të pengohet procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qëllimi i ardhjes së kompanisë “Brantner gmbh”, Austri në vendin tonë dhe marrëveshjes përkatëse me Konfindustrinë si mbështetësi kryesor i projektit strategjik, është: - të krijojë sistemin e plotë të menaxhimit modern të mbetjeve të ngurta të industrive dhe qytetarëve shqiptarë, duke formalizuar njëkohësisht sektorin, duke përfituar nga përvojat e industrive ricikluese austriake, bashkëpunimin ndërmjet industrive si dhe me institucionet shtetërore nëpërmjet përvojës së Shoqatës së Industrive Ricikluese të Austrisë, - të krijohen kushtet për zbatimin e ligjit përkatës të fushës dhe të standardeve të BE si dhe të rrisë përgjegjshmërinë shoqërore të industrive shqiptare si prodhueset më të mëdha të mbetjeve të ngurta, - të mundësojë përcjelljen e njohurive të krijimit të sistemit modern të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në pushtetin vendor, shkolla, qytetarët si dhe në industritë shqiptare. Kompania “Brantner gmbh”, lider në fushën e industrisë së riciklimit të mbetjeve të ngurta në Austri e shtrin aktivitetin e saj në 8 shtete dhe ka afër 3000 punonjës, duke ofruar të gjitha llojet e shërbimeve të pastrimit, depozitimit dhe përpunimit të mbetjeve të ngurta me të ardhura vjetore, që e tejkalojnë shifrën prej 200 milion eurosh.