Mediu: Prokuroria mbylli hetimet pa më pyetur
Ish-ministri i Mbrojtjes u shpreh se Kryeministri Berisha i kërkoi atij shkarkimin e Ylli Pinarit në vitin 2005
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, deklaroi se edhe pse ai ka qenë nën hetim për gati një vit, nuk është marrë në pyetje nga prokuroria, e cila mbylli hetimet pa e pyetur atë. Sipas tij, mbas akuzës për shmangien e Forcave të Armatosura ka një qëllim që është ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme. Ai u shpreh në emisionin televiziv “Opinion” se nuk ka qenë në dijeni të veprimtarisë që kryhej në Gërdec, përveç faktit se aty transportohej municion. Sipas tij, Shërbimi Informativ i Ushtrisë dhe Policia Ushtarake gjatë raportimit të kryer nuk e kanë informuar atë në lidhje me shkeljet që po kryheshin aty. Në lidhje me tragjedinë e ndodhur më 15 mars të vitit 2008, ku humbën jetën 26 persona, ish-ministri i Mbrojtjes nuk bën përgjegjës asnjë person.
Mediu është shprehur: “Kam deklaratën e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, deklaratën e Policisë Ushtarake, të cilat asnjëherë nuk kanë dhënë asnjë informacion në lidhje me aktivitetin që kryhej në Gërdec. Nga analiza e ekspertëve të thirrur nga prokuroria rezultoi se rajoni i Gërdecit ka pasur probleme për sa i përket plotësimit të kushteve të sigurisë”. Ish-ministri i Mbrojtjes u shpreh se i vetmi informacion që i është dërguar atij, është ai i transportit të municioneve në drejtim të Gërdecit. Për sa i përket informacionit që qeveria kishte në lidhje me aktivitetin që po kryhej, Mediu është shprehur se “Kryeministri Berisha nuk kishte asnjë dijeni, për shkak se ligji e shmang informimin për Kryeministrin e vendit”.
Ish-ministri i Mbrojtjes shtoi se Gërdeci ka qenë një strukturë jashtë Forcave të Armatosura dhe në bazë të ligjit nuk ka qenë angazhim i asnjë ministri për të inspektuar këto struktura jashtë Forcave të Armatosura.
Për Mediun masat për mbrojtjen e punëtorëve dhe të të gjithë zonës janë detyrë e ndërmarrjes private të kontraktuar dhe gjithashtu në pikën nëntë thuhet që ruajtja e rajonit të Gërdecit të bëhet nga komanda e forcës së bashkuar.
Ish-ministri Mediu ka këmbëngulur se ai nuk e njihte Mihail Delijorgjin, drejtuesin e Albademil-it dhe se nuk ka pasur asnjëherë asnjë kontakt me të. Kontaktet e tij të vetme si ministër, ku dhe ai ka firmosur shkresat kanë qenë me kompaninë amerikane “Southern Demonition”. “Unë kam pasur kontakte me kompaninë amerikane. Çdo shkresë e ministrit të Mbrojtjes ka të bëjë me kompaninë amerikane. Në qoftë se do të gjendet një kontakt i vetëm me Delijorgjin, i familjarëve të mi, i rrethit politik, i stafit të ngushtë, përgjegjësinë e merrja vetëm unë”.
Mediu e ka quajtur tragjedinë e ndodhur në Gërdec si përgjegjësia e tij morale, dita e tij më e zezë. “Nuk kam pasur asnjë dijeni që Delijorgji është pjesë e këtij biznesi”, - është shprehur ai.
Ish-ministri i Mbrojtjes shtoi se procesi i demontimit të municioneve ka qenë prioritet i ministrisë që ai drejtonte. “Municionet kanë qenë rrezik për sigurinë kombëtare. Unë jam marrë në pyetje gjatë një viti, edhe më pas jam quajtur i akuzuar pa u pyetur”.
Pyetjes nëse ai kishte pasur një bisedë me djalin e Kryeministrit të vendit, Shkëlzen Berisha, në lidhje me çështjen e Gërdecit, ai iu përgjigj; “Unë nuk kam folur me Shkëlzen Berishën në lidhje me çështjen e Gërdecit. E kam takuar atë, pasi është djali i Kryeministrit, por nuk kam pasur asnjë bisedë në lidhje me këtë”.
Sipas Mediut, edhe pse Kryeministri i vendit kishte kërkuar shkarkimin e drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, ai nuk e kishte bërë, për shkak se gjatë drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes nuk është shkarkuar asnjë ushtarak.