E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stuhi detare në Durrës, erë, breshër e dallgë të larta për 2 orë

22/02/2010 Dëmtime të shumta kryesisht në lokalet buzë detit. Anijet pezullojnë udhëtimet

Stuhi detare në Durrës, erë, breshër e dallgë të larta për 2 orë

DURRES- Për më se një orë vija bregdetare e qytetit të Durrësit dhe lagjet pranë bregut të detit janë përballur me stuhinë e fortë detare, e cila është shoqëruar me erë, breshër, shi dhe dallgë të mëdha. Stuhia nisi rreth orës 10.40 dhe vijoj me erë të fortë deri në ora 11.20, ndërsa pas kësaj ore pushteti i stuhisë ka nisur të bjerë për t’u riaktivizuar me intervale kohore të ndryshme. Era ka fryrë me drejtim nga jugu dhe me shpejtësi rreth 20 m në sek dhe deti i trazuar me forcë 5-6 ballë. Dje paradite era i ka lënë vend edhe ciklonit të shoqëruar me breshër për disa minuta. Kjo ka pasuar me dëmtime të tendave, pemëve, shtyllave dhe thyerje të xhamave në lokalet buzë deti apo edhe në disa apartamente banimi. Lokalet në anë të detit kanë marrë masa për të shpëtuar bizneset nga era, e cila në ditë të tilla shoqërohet me jo pak dëme. Për dy orë gjithçka është vënë nën pushtetin e motit të keq duke detyruar ekuipazhet e anijeve të ndjekin me shqetësim stuhinë detare. Burimet thanë se moti i keq dhe deti i trazuar, penguan mbërritjen e trageteve të linjës Bari-Durrës, kurse aktiviteti në port u mbyll për dy orë. Keqësimi i kushteve detare ishte parashikuar dy ditë më parë dhe kjo u ka dhënë kohë anijeve të gjuetisë së peshkut dhe anijeve të transportit të vendosen në strehime pranë gjireve të bregdetit Adriatik e Jon. Kapiteneria e portit në Durrës ka kërkuar nga pronarët e mjeteve të marrin masa për të përforcuar ankorimin e anijeve si dhe ruajtjen e tyre, ndërsa porti ka treguar vëmendje edhe në ruajtjen e elekrovinçave. Burimet portuale thanë se për shkak të kushteve të këqija me erë të fortë anijet në rad janë shtrënguar të ndezin motorët nga frika e daljes jashtë kontrollit si pasojë e fortunalit. Ekuipazhet e pilotazhit që vrojtojnë situatën në pellgun e Durrësit janë përqendruar në afërsi të terminalit të trageteve për të mbajtur nën vërejtje anijet e peshkimit, cimat e të cilave këputen shpesh herë në ditë të tilla. Flota e peshkimit dje ka qenë e gjitha në gatishmëri për të shmangur incidentet për shkak të afërsisë me terminalin e trageteve. Kapiteneria ka bërë të ditur se 4 anije të transportit të mallrave me destinacion portin e Durrësit kanë “pushuar” në brigjet dalmate në pritje të qetësimit të motit, ndërsa dy anije pasi kanë përfunduar përpunimin në port nuk janë lejuar të dalin deri në rënien e forcës së stuhisë. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›