E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthimi i emigrantëve, shkak për rritjen e papunësisë

Analiza Këshilli Kombëtar i Punës deklaron se niveli i papunësisë në vend për 2009-n ishte 13 për qind

Kriza ekonomike në shkallë globale pritet që të rrisë fluksin e kthimit të emigrantëve shqiptarë në atdhe. Ndonëse në pamje të parë mund të tingëllojë si lajm i gëzueshëm për familjarët e tyre në Shqipëri, në fakt nuk është i tillë për drejtuesit e institucionit të Këshillit Kombëtar të Punës. Drejtori i këtij institucioni, Thoma Miço, gjatë analizës së djeshme u shpreh se duhet të bëhemi gati për të përballuar këtë fluks, që pritet të rrisë edhe numrin e të papunëve në shkallë vendi. Kjo, për faktin se edhe ekonomia shqiptare gjendet në krizë e për rrjedhim edhe vendet e punës janë të kufizuara dhe mjaft të vështira për t’u gjetur. Për vitin 2009 niveli i papunësisë sipas statistikave të Këshillit Kombëtar të Punës ka qenë 13 për qind. Lidhur me punësimin e të papunëve të regjistruar në zyrat e punësimit, drejtori Miço u shpreh se një numër i konsiderueshëm i tyre janë me arsim tetëvjeçar dhe është tepër e vështirë të gjejnë veten në tregun aktual të punës që kërkon punëtorë të specializuar. Po kështu, mungesa e zanateve apo shkollave profesionale prej këtyre punëkërkuesve konsiderohet si një tjetër handikap për sistemimin e tyre të shpejtë. Nga ana tjetër, drejtori Miço ka vlerësuar se edhe kufiri i moshës shpeshherë është një barrierë e fortë për punëkërkuesit e papunë. Kështu, një pjesë e madhe e tyre janë mbi moshën 45 vjeç, ndaj dhe paraqiten vështirësi në punësimin e tyre, ku preferohen më tepër moshat e reja dhe të arsimuara apo të specializuara në profesione e zanate të ndryshme.

Po kështu, drejtori Miço ka përmendur faktin se ka edhe një kontingjent që rezultojnë si të papunë në zyrat e punësimit, por, nga ana tjetër, janë të punësuar në të zezë. Madje, sipas tij, përfitojnë me pa të drejtë edhe ndihmën ekonomike.

Në zyrat e punës në regjistrat e punëkërkuesve ka edhe shumë individë që kanë përfunduar studimet e larta, por që nuk kanë mundur të sistemohen në punë. Numri më i lartë i tyre regjistrohet në Tiranë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›