Matura shtetërore Dhjetë rregullat që përjashtojnë kandidatët
Udhëzimi: Këtë vit nxënësit mund të spiunojnë për parregullsitë në auditorë
Shpresa Mezini
Pasnesër, rreth 40 mijë maturantë do të zhvillojnë provimin e parë të detyruar të maturës shtetërore, atë të letërsisë dhe gjuhës shqipe. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, Ministria e Arsimit u bën thirrje të rinjve të respektojnë 10 rregullat bazë, të cilat përcaktojnë qartë rastet kur kandidatët mund të përjashtohen nga provimi. Duke iu referuar udhëzimit, mësohet se kandidatët për student duhet të paraqiten në shkollë një orë përpara fillimit të provimit, ndërsa gjatë kësaj kohe kryhet identifikimi i të rinjve, të cilët më pas zënë vend në auditorët e fakulteteve, ku do të zhvillohet testimi.
Procesi i identifikimit të çdo maturanti gjatë hyrjes së tyre në mjediset e provimit kryhet nga përgjegjësi i administrimit të provimit. Me kërkesën e tij, ai mund të ndihmohet nga drejtori i shkollës dhe administratorët e provimit. Pas fillimit të zhvillimit të provimit, nuk lejohet që drejtori i shkollës të hyjë në mjediset ku zhvillohet testimi. Hyrja dhe ndarja e çdo maturanti në klasa bëhet duke respektuar rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga AVA. Ndërkohë që çdo maturant në ditën e provimit duhet të ketë me vete certifikatën personale me fotografi ose letërnjoftimin, saktësohet në udhëzim. Sipas rregullores, në auditorë do të mund të hyjnë vetëm nxënësit, të cilët lexojnë emrin në listë. Ndërsa sistemimi i çdo kandidati në sallat e provimit bëhet një nga një, në zbatim të listës emërore, ndërsa theksohet se ndalohet rreptësishtë ndërrimi i vendeve.
Në rast se një nxënës nuk zbaton rregulloren, ai jo vetëm që do të përjashtohet nga provimi i letërsisë, por nuk do të ketë mundësi të japë as provimet e tjera, shpjegojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit. E megjithatë ata shtojnë se të drejtën për të raportuar mbi parregullsitë që pengojnë zhvillimin e provimit do ta kenë edhe vetë nxënësit, jo vetëm administratorët e testimit. Maturantët që dorëzojnë tezën përpara afatit të përcaktuar në rregulloren e maturës shtetërore 2012, nuk do të mund të largohen nga fakulteti. Ata do të grumbullohen në një tjetër sallë të institucionit, ndërsa do të largohen vetëm pasi të ketë rënë zilja për të gjithë njësoj.
Risia
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur maturantët u janë nënshtruar provimeve të Maturës Shtetërore në klasat e shkollave të mesme ku kanë mësuar për 4 apo 5 vjet në rastin e institucioneve që i përkasin arsimit profesional, sivjet nuk do të ndodhë kështu. Specialistët në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës sqarojnë se këtë vit, zhvillimi i testeve të maturës do të bëhet në auditorët e fakulteteve. Kjo, sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimit për të eliminuar mundësitë për të kopjuar, pasi sallat janë të mëdha, për rrjedhojë distanca nga njëri nxënës në tjetrin do të jetë e konsiderueshme. Një tjetër risi që i bashkëngjitet maturës 2011-2012 është edhe dita kur do të zhvillohen 4 testet, të cilat si asnjëherë tjetër do ti kalojë fundjavës. Kjo, për të mos penguar nxënësit e tjerë të zhvillojnë mësimin normalisht, siç ka ndodhur gjatë viteve të kaluara, por edhe për të ndëshkuar kopjacët. Ministria e Arsimit ka vendosur që 4 provimet të zhvillohen ditën e shtunë. Kështu testi i parë i detyruar i maturës do të zhvillohet më datë 2 qershor, i dyti më 16, ndërsa dy provimet me zgjedhje më datë 30.
Matura shtetërore – Dhjetë rregullat që përjashtojnë kandidatët burimi: Gazeta Shqip
