Maturantët; Miell dhe vezë - “happy end” viteve të çmendura
“We don’t need no education”. “Pink Floyd” i ka rënë në kokë. Është e paimagjinueshme që adoleshentët ta shndërrojnë në himn edhe në Shqipëri këtë varg të fuqishëm rebelimi, që i takon moshës dhe nuk njeh kohën. Më tepër se ritëm muzike dhe çmenduri artistike, ditët e zakonshme për maturantët që i thonë lamtumirë shkollës së mesme, është një rast demonstrimi - pa dorashka, pa hipokrizi, pa sekrete dhe fshehje. “Ne nuk kemi nevojë për mësim”. Rebelim i moshës ndaj të mësuarit.
Blerta Mrishaj
“We don’t need no education”. “Pink Floyd” i ka rënë në kokë. Është e paimagjinueshme që adoleshentët ta shndërrojnë në himn edhe në Shqipëri këtë varg të fuqishëm rebelimi, që i takon moshës dhe nuk njeh kohën. Më tepër se ritëm muzike dhe çmenduri artistike, ditët e zakonshme për maturantët që i thonë lamtumirë shkollës së mesme, është një rast demonstrimi - pa dorashka, pa hipokrizi, pa sekrete dhe fshehje. “Ne nuk kemi nevojë për mësim”. Rebelim i moshës ndaj të mësuarit. Për vite me radhë dufi është mbajtur brenda. Gjimnazistët duan të shfryhen, kanë nevojë. Dita e fundit e shkollës u kujton më shumë se kurrë se tani janë të lirë. Dyert e dritaret hapen, e ndërsa kangjellat e oborrit shkrihen para syve të tyre. Maturantët tani mund të shkojnë të lirë, gjimnazi mbaroi.
Shfry
Kanë kërkuar me vite me radhë të jenë të lirë, të bëjnë çfarë të duan, kur dhe ku duan. Duan kohë për kafe, për internet, për miq e për shokë, por mbi të gjitha për çmenduritë dhe marrëzitë e moshës. Nga nesër ata munden. Nga nesër ata janë ishë në atë shkollë. E nesërmja do të vijë, por e shkuara i mundon, ndaj të sotmen e shfrytëzojnë në maksimum. Duan të shpërthejnë, por mjaftohen me shfryrje. Shfryjnë, por jo me mllef dhe as urrejtje. Artistikisht, me metodat e tyre të veçanta, ashtu siç vetëm ata dinë të bëjnë. Me miell dhe me vezë. Me festë dhe me “luftë”. Asnjë nuk është i ftuar, por të gjithë mund të marrin pjesë. Kurrkush nuk është i privilegjuar dhe të gjithë janë nën shënjestër. Hapet sipari. Festa fillon. Tradicionalisht, siç është bërë zakon, festa e çdo fundviti e maturantëve në shkollat e mesme nis me asortimentet bazë. Me orë të tëra festa shndërrohet në terren “luftues”, ku secili nga maturantët vazhdon, duke i gjuajtur asortimentet njëri-tjetrit në kokë dhe trup. Tek disa bëhet e mundur transformimi në “kek” me miell dhe vezë, ndërsa disa të tjerë në “shishe salce që ecin në këmbë”. Megjithëse disa prej tyre nuk u lejuan që të festonin në mjediset e brendshme të shkollës, ata sërish nuk ndaluan për ta vazhduar festën në rrugët kryesore, kjo pavarësisht faktit se aty kalojnë njerëz të tjerë dhe mund të bien “viktimë” e ndonjë goditjeje me vezë. Ashtu si edhe çdo luftë tjetër, edhe “lufta” e maturantëve merr fund vetëm brenda pak orësh. Ashtu si “kek”, të lyer me vezë dhe miell, ndërmarrin udhëtimin e përvitshëm, rrugën për në plazhin më të afërt, në Durrës apo edhe nëpër pishina. E ndërkohë, largohen nga shkolla e tyre që i mbajti për vite, duke shtrënguar fort në kujtesën e tyre ditët e bukura e të hidhura të kaluara mes atyre mureve dhe bankave të gjimnazit. Duke marrë në trastë me vete të gjitha dijet dhe kulturën që me aq shumë dashuri dhe përkushtim u kanë dhënë për vite rresht mësuesit e tyre. Dita tjetër vjen shpejt dhe e dehura del. Pas ditës së fundit të shkollës, maturantët kuptojnë se duhet të kthehen në përditshmërinë e tyre dhe të bëhen gati për të mësuar për provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje. Pas përfundimit të vitit akademik shkollor dhe pas 9 muajsh nën petkun e maturantëve, që e kanë pasur këtë emër, por nga sot ata janë ish-maturantë.
Rrëfim
Ditari i një adoleshenteje
E hënë, datë 19 shtator 2005, ishte mëngjesi i parë nën ritmin e emocioneve të ditës së parë të shkollës së mesme. Ora e zgjimit edhe atë mëngjes funksiononte sipas mekanizmave të saj, në mënyrën më të saktë të mundshme dhe pse çdo 5 minuta një dorë e fikte duke shprehur qartë mosaprovimin dhe dëshirën për pak minuta më shumë gjumë...
Ai mëngjes ishte prapaskena për t’u përgatitur për një shfaqje të re, me publik, regjisor dhe aktorë të rinj...
Teksa bëhesha gati, rrobat e reja më bënin të mendoja për atmosferën e re dhe sidomos për ata persona që do të gjeja në këtë atmosferë, nuk ishte pak, bëhej fjalë për ditën e parë të vitit të parë gjimnaz. Në atë ditë shënohej mbyllja e një epoke dhe fillimi i një ere të re. Ashtu, e entuziazmuar, papritur e kuptova që isha bërë vonë në trafikun e paevitueshëm të një dite të hënë. Ndoshta në fjalitë e para të këtij rrëfimi jam duke shfaqur nota egoizmi, por jam e bindur se peripecitë e asaj dite tek të gjithë, në pak detaje mund të ndryshonin...
Gjatë rrugës për në shkolle, në fillimin e territorit të saj, sytë ndeshen në një rrethim me hekura blu, në hyrje roja. Nxitimthi, për shkak të vonesës, ndarja e vitparistëve nëpër klasa kishte mbaruar, me pak fjalë, unë kisha humbur prezantimin tim virtual me shokët e shoqet e ardhshme...
Gjithçka pas kësaj dite mori një tjetër rrjedhë. Filluan njohjet e para, për një pjesë paragjykimi ishte fasada që nuk lejonte të shkoje përtej pamjes. Në shkollë nuk mungonin dhe më të mëdhenjtë, të cilët për të shprehur antipatinë e tyre dhe superioritetin, gjithmonë në aspektin e moshës na cilësonin me emrin “vitparistë”. Realisht, ky emërtim në këndvështrimin tonë nuk përbënte problem, ne të tillë ishim.
Në një vit nuk mund të ketë vetëm njohje, prezantime, ekskursione, festa, mësime, por edhe mosmarrëveshje dhe shumë detaje apo më shumë vogëlsira. Viti i dytë, i quajtur edhe më voluminozi. Realisht, në aspektin tim, vitin e dytë do ta cilësoja viti i ‘sherreve’. Por edhe ai kaloi ashtu e kështu.
Ndonëse çdo minutë e kaluar i bashkëngjitej atij pasues, pika kulmore e vijueshmërisë tonë prej gjimnazistësh, arriti në momentin kur gjërat filluan të konkretizoheshin më saktë ose duhej të konkretizoheshin. Profilizimi i vuri vulën perspektivës tonë, në fundin e vitit të dytë bëmë zgjedhjet, profili natyror dhe profili shoqëror. Kjo solli një miksim të nxënësve, çka do të printe sërish nevojshmërinë për t’u përshtatur ndoshta me persona dhe tipa që gjatë dy viteve pasuese i ke shmangur. Viti i tretë, përveç një mënyre krejtësisht ndryshe të orarit mësimor dhe ngarkesës, ofroi përplasje, ajër ambicioz, shembje të disa paragjykimeve të gabuara. Gjatë këtij rrëfimi u mundova t’ju paraqes një kuadër paksa të përgjithshëm, por më besoni, kam lënë shumë gjëra të papërmendura, si p.sh.: lidhjet, se si disa persona kanë ndryshuar karakterin nga një rebelim i tejskajshëm në persona të arsyetueshëm apo e kundërta, ndryshime aq sa kur shohim veten tonë në fotot e vitit të parë, të nxjerrë nga dikush në facebook... evitojmë çdo koment të sikletosur, por njëkohësisht krenarë për pamjen aktuale. Më shumë vëmendje dhe hapësirë mendoj se duhej ta rezervoja për vitin e katërt. Mund të them se në këtë vit nuk mbetet pa u përmendur uniteti midis klasave, aq të bashkuar sa për 30 nxënës mund të arrijmë të bëjmë në 30 vende mbrëmjen e maturës. “Stres” është motoja jonë dhe pse realisht po të ishim aq të stresuar, nuk do të kalonim një 30 minutësh apo më shumë nga jeta jonë në kafe ose në internet, por gjithsesi, ashtu siç nuk mund të rri pa e thënë frazën e përhershme: “S’kemi ç’të bëjmë, fundja ne jemi viti i katërt. Edhe pak dhe do ikim, nuk do bëjmë më jetë adoleshentësh”.
22 maji do të shënojë fundin e asaj ere që filluam më 19 shtator, fundin e viteve më të bukura që mund të kalojë njeriu. Vitet kur gabimet të bëhen mik dhe arsyetimi është thjesht një mirazh. Sot është njëkohësisht edhe dita kur bëhet lufta me vezë, duke i vendosur tapën si një kujtim që do të mbetet për shumë gjatë në kujresën tonë. Si pa kuptuar, ne jemi maturuar, jemi parauniversitarë me ide dhe kritere brenda standardeve maksimale. Betejat tona sapo filluan, lufta e fituar do të jetë në momentin kur pas shumë vitesh, emrat tanë do të përmenden në fushat për degët të cilat ne sot zgjodhëm... e ardhmja jonë është në imagjinatë, por e tashmja është momenti, sekonda dhe pulsi i situatës...
Klodiana
IVA shkollë e mesme e përgjithshme