Dhunohen të verbrit, arrestohet biznesmeni 47-vjeçar
Një incident ka ndodhur paraditen e djeshme gjatë protestës paqësore të Shoqatës së të Verbërve përpara Kryeministrisë. Një 47-vjeçar ka dhunuar një protestuese të moshuar, duke e gjuajtur dhe shtyrë, pa marrë parasysh pamundësinë e saj fizike. Ngjarja, që ndodhi në prani të forcave të Gardës së Republikës, u shoqërua me reagimin e forcave të rendit, të cilat arrestuan autorin.
Në orët e para të pasdites, policia arriti të identifikonte 47-vjeçarin, Pëllumb Borshi, të cilin e shoqëroi në polici, duke e marrë në pyetje. Ministria e Brendshme deklaroi se 47-vjeçari nuk ishte pjesëtar i forcave të policisë e as i Gardës së Republikës, por një biznesmen që kalonte në bulevard. Ndërkohë, zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani, e cilësoi këtë ngjarje si “vërtet të turpshme dhe shumë të dënueshme”.
Incidenti
Incidenti ndodhi gjatë një proteste paqësore, ku mbi 100 të verbër ishin lidhur simbolikisht me litar, duke kërkuar nga qeveria të plotësojë kërkesat e tyre. Ata kërkonin fletë të veçanta votimi, si edhe rritje të përfitimit ekonomik të tyre, së bashku me strehim falas nga shteti. Policia bëri të ditur se autori ishte “Pëllumb Borshi, biznesmen i furrave të bukës, i cili po adresohej pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, duke kërkuar t’i lejohej kalimi”.
Mosreagimi i Gardës së Republikës, sipas Ministrisë së Brendshme, ishte në bazë të ligjit. “Punonjësit e Gardës së Republikës, bazuar në ligjin për veprimtarinë e saj nuk mund të ndërhyjnë për të kryer asnjë veprim, përveç mbrojtjes së institucionit apo personalitetit për të cilin ligji i ngarkon”, – deklaroi Ministria e Brendshme, duke shtuar se punonjësit e Gardës kanë ndihmuar në identifikimin dhe gjendjen e autorit.
“Ndaj këtij personi organet e Ministrisë së Brendshme do të ngrenë padi penale, si për dhunën e ushtruar ndaj një personi tjetër, ashtu dhe për pengimin e kundraligjshëm të një proteste paqësore”, – bëri të ditur ministria.
Politizimi
Por, lideri i opozitës, z. Edi Rama, tentoi ta politizonte këtë çështje, duke akuzuar qeverinë për këtë akt, ndonëse autori ishte një biznesmen i palidhur me qeverinë. Zëdhënësja e Kryeministrit, znj. Juela Meçani, reagoi duke deklaruar se Rama “është i aftë të manipulojë ultësisht çdo gjë, çdo incident dhe çdo fatkeqësi”.
Rama përsëriti moton e “politikës së vjetër”, duke rrokur t`u veshë përgjegjësi forcave të shtetit për incidentin. “Kjo qeveri, e paaftë për të zgjidhur hallet e njerëzve në nevojë dhe njëkohësisht e pandjeshme për t’i qarë këto halle, së paku duke u njohur atyre njerëzve dinjitetin, është shëmbëlltyra e fundit e një politike të vjetër”, – tha ai, edhe pse autori ndërkohë ishte arrestuar, duke provokuar reagimin e qeverisë.
“Të vërtetën e këtij incidenti e di më mirë se kushdo tjetër vetë Edi Rama, i cili edhe pasi e mori vesh se policia ka identifikuar autorin e incidentit të turpshëm, vrapoi të dilte në konferencë për shtyp për të lëshuar shpifjet e radhës përpara publikut”, – tha zëdhënësja e Kryeministrit, e cila u zotua se qeveria do të vazhdojë të respektojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
“Ky është standardi i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili ka kërkuar hetim dhe përgjegjësi të plotë përpara ligjit për incidentin që ka ndodhur”, – deklaroi ajo.
Gumi: Zgjidhje me anë të negociatave
Ndërkaq, protesta e të verbërve u pasua me kërkesën e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi, për zgjidhje të të gjitha problemeve të tyre, nëpërmjet dialogut. “Dera e ministrit të Punës do të jetë e hapur për zgjidhjen e të gjitha kërkesave tuaja. Ky proces duhet të kalojë nëpërmjet rrugës së bisedimeve, dialogut dhe besimit reciprok”, - tha ministri Gumi në takimin që pati me një përfaqësi të Shoqatës së të Verbërve, të kryesuar nga kryetari i saj, Sinan Tafaj, duke bërë të ditur edhe rritjen e pagesës së përfitimit. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka sqaruar përfaqësuesit e shoqatës, se vendimi i vitit 2008 ka ndryshuar mënyrën e llogaritjes së pagesës së paaftësisë nuk është i saktë, pasi ky ndryshim është bërë që në vitin 2002, me VKM 301 dhe lidhej me strategjinë e pagave të miratuar nga qeveria, që parashikonte shkëputjen e të gjitha përfitimeve që lidheshin me pagën dhe rritjen e saj, lidhur vetëm me produktivitetin e punës. Me qëllim që mos të cenoheshin të drejtat e përfituara, masa e pagesës së verbërisë u përcaktua 6.000 lekë në muaj, që përkonte saktësisht me rritjen e pagës minimale për atë vit. Sot të verbrit përfitojnë 8 700 lekë në muaj dhe kanë filluar procedurat në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave për ta çuar në masën 9.800 lekë. “Pretendimi i shoqatës se është shkelur neni 5 i ligjit 8098, datë 28.03.1996, nuk qëndron, pasi ky ligj përcakton se të verbrit marrin një pagesë shtesë për shkak të verbërisë në masën e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave”, - deklaroi Ministria e Punës, sipas të cilës, ligji nuk e lidh pagesën me pagën minimale, por e lë në kompetencë të Këshillit të Ministrave përcaktimin e nivelit të saj.
Ndërsa për strehimin, ministria bëri të ditur se në një prej programeve qeveritare, atë të banesave me qera, është parashikuar që për kategorinë e të verbërve të zbatohet një bonus qeraje më i lartë, deri në 75%, kundrejt 50% që aplikohet për familjet që nuk kanë mundësi të përballojnë qeranë sociale, duke i njohur, njëkohësisht edhe dhënien e një dhome plus me sip. 12.5-14 m2 mbi sipërfaqen normative të banimit. “Lidhur me financimet në fushën e strehimit, në vitet 2008-2009 buxheti i shtetit ka parashikuar vetëm mbulimin e financimeve për realizimin e projektit të ndërtimit të banesave sociale me qera, të cilat zbatohen në mbështetje të ligjit 9232, datë 13.05.2004 i ndryshuar, i cili administrohet nga bashkitë”, – bëri të ditur ministria.