E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të verbrit u rikthehen protestave para Kryeministrisë

22/05/2009  Reagimi, nis diskutimi për rritjen e pagesës mujore

Me dhjetëra të verbër i janë drejtuar gjatë ditës së djeshme Kryeministrisë, ku kanë kërkuar për të disatën herë plotësimin e kërkesave mbi përmirësimin e kushteve të vështira të jetesës me të cilat përballet kjo kategori. Konkretisht bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit të strehimit, rritjen e pagesës mujore me të cilën trajtohet kjo shtresë, si dhe përjashtimin e tyre nga një sërë taksash. E menjëhershme ka qenë deklarata e Ministrisë së Punës, që nëpërmjet zëdhënëses së shtypit Alma Lahe ka deklaruar se tashmë kanë iniciuar diskutimet me institucionet përgjegjëse për rritjen e pagesës mujore që jepet aktualisht për këta persona. “Në vazhdimësi, përfaqësuesit e shoqatës janë sqaruar që pretendimi i ngritur prej tyre se vendimi i vitit 2008 ka ndryshuar mënyrën e llogaritjes së pagesës së paaftësisë nuk është i saktë, pasi ky ndryshim është bërë që në vitin 2002 e që lidhej me strategjinë e pagave të miratuar nga qeveria, strategji e cila parashikonte shkëputjen e të gjitha përfitimeve që lidheshin me pagën dhe rritjen e pagës në bazë të produktivitetit të punës. Me qëllim që mos të cenoheshin të drejtat e përfituara, masa e pagesës së verbërisë u përcaktua 6000 lekë në muaj, që përkonte saktësisht me rritjen e pagës minimale për atë vit. Sot të verbrit përfitojnë 8700 lekë në muaj dhe kemi filluar procedurat në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave për ta çuar në masën 9 800 lekë”, - ka pohuar Lahe. Ajo ka shtuar se lidhur me programet e strehimit kjo kategori është cilësuar si prioritet. Në njërin prej programeve sociale të strehimit dhe pikërisht në atë të banesave me qira është parashikuar që për këtë shtresë të zbatohet një bonus qiraje më i lartë, deri në 75 për qind kundrejt 50 për qind që aplikohet për familjet që nuk kanë mundësi të përballojnë qiranë sociale.

Ligji gjithashtu sanksionon përjashtimin e personave të verbër nga taksa e qarkullimit rrugor dhe nga taksa e mjedisit për komponentin e taksës së importimit të mjeteve të përdorura. Pavarësisht këtyre deklaratave, shoqata ka pohuar se është e vendosur të vijojë protestat derisa t’u jepet zgjidhje të gjitha kërkesave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›