E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantëve të shkollave dygjuhëshe u njihet diploma në Itali



Anilejda Shëmbitraku

Një pjesë e madhe e maturantëve shqiptarë do të mund të konkurrojnë në universitetet italiane pa qenë nevoja që të japin provimet e gjuhës. Kjo do të jetë e mundur pas memorandumit që është nënshkruar dje nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, me senatorin italian Alfredo Mantica. Tafaj ka pritur dje një delegacion italian të kryesuar nga senatori Alfredo Mantica, nënsekretar Shteti për Punët e Jashtme. Ata nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane, që funksionojnë në disa shkolla të mesme të vendit, si në Tiranë, Korçë dhe Shkodër.

Bashkëpunimi
Ministri Arsimit dhe Shkencës, në fjalën e tij, duke falënderuar senatorin Manica, ka theksuar se ky memorandum është një vijimësi e mbështetjes shumë të madhe dhe bashkëpunimit të shkëlqyer që ka mes Italisë dhe Shqipërisë, në mënyrë të veçantë në fushën e arsimit dhe të shkencës. “Italia është vendi që e ka mbështetur Shqipërinë që në ditët e para pas vendosjes së demokracisë me projekte të shumta për arsimin në të gjitha nivelet e tij si dhe për zhvillimin e kërkimit shkencor. Sot ne kemi një numër shumë të madh projektesh me Italinë, jo vetëm midis dy vendeve, por edhe midis universiteteve, e tani po synojmë ta shtrijmë bashkëpunimin në nivelin shkollash”, - ka theksuar Tafaj në fjalën e tij. Duke iu referuar mbështetjes së vazhdueshme që u ofron qeveria italiane studentëve shqiptarë që studiojnë në Itali, ministri Tafaj shprehu se grupi i studentëve shqiptarë në Itali është grupi më i madh i studentëve të huaj.

Statistikat
Sipas statistikave, studentët shqiptarë zënë mbi 50% të totalit të studentëve të huaj që studiojnë në Itali. “Shumë nga studentët shqiptarë që kanë përfunduar studimet e masterit dhe doktoratës në universitetet italiane, të kthyer tashmë në Shqipëri, kanë marrë poste të pedagogëve në universitete. Shumë prej tyre punojnë në administratën publike, të tjerë angazhohen në sektorin privat. Në tërësi, ky është një kontribut i drejtpërdrejtë që jep Italia për zhvillimin e shpejtë të arsimit, shkencës, administratës publike dhe të sektorit privat në Shqipëri”, - u shpreh ministri Tafaj. Memorandumi i nënshkruar sot në MASH forcon bashkëpunimin për seksionet bilinguale për shkollat e mesme në Shqipëri. Kjo marrëveshje mes ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ambasadës Italiane synon të rritë numrin e nxënësve që mësojnë gjuhën italiane në Shqipëri.

Memorandumi
Lehtëson studimet në universitetet italiane

Falë bashkëpunimit në kuadër të këtij memorandumi, nxënësit e shkollave të mesme, veçanërisht ata të shkollave të seksioneve bilinguale, do të shkëmbejnë përvojën e tyre me shkollat italiane, duke vendosur ura të reja bashkëpunimi mes shkollave të Shqipërisë dhe Italisë. Ky memorandum, edhe pse kufizohet në seksionet bilinguale, do t`i hapë rrugë intensifikimit të bashkëpunimit edhe në nivelin e arsimit të lartë, duke u bërë një kontribut për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Italisë. Por, në të njëjtën kohë, kjo marrëveshje do të ndikojë edhe në rritjen e cilësisë në shkollat ku zbatohet ky projekt. Projekti do të ndikojë gjithashtu edhe në rritjen e kualifikimit të mësuesve jo vetëm të gjuhës italiane, por edhe të lëndëve të tjera në shkollat ku do të zbatohet. Deri tani projekti është aplikuar në shkollat e gjuhëve të huaja, përkatësisht në degët e gjuhës italiane. Me nënshkrimin e këtij memorandumi, projekti i dygjuhësisë shtrihet në tri shkollat më të mira të vendit, tre gjimnazet të cilat janë renditur ndër dhjetë më të mirat e Shqipërisë: gjimnazi “Qemal Stafa” në Tiranë, gjimnazi “28 Nëntori” në Shkodër dhe gjimnazi “Themistokli Gërmenji” në Korçë.

Instituti Italian i Kulturës
Caktohen datat e provimeve për studentët shqiptarë

Instituti Italian i Kulturës ka publikuar kalendarin e informacionit për provimet e gjuhës italiane për të gjithë studentët shqiptarë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Itali. Testimi CELI 3 do të zhvillohet në Tiranë më 10 mars 2010. Ndërsa regjistrimi do të vazhdojë deri më 21 janar. Testimi për marrjen e certifikatës specifike (Celi-3 dhe Celi 5, dëshmi të cilat janë vendimtare për të vijuar procedurën e konkurrimit), shërbejnë për të bërë kërkesën për pararegjistrim në universitetet italiane. Për të hyrë në provim kandidatët duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit (pasaportë të firmosur, kartë identiteti ose patentën e re), si dhe një laps të zi, pasi është i ndaluar përdorimi i stilolapsit në test. Sipas rregullores, është e ndaluar futja në ambientet e provimit të çfarëdolloj materiali (libra, fletore, fjalorë dhe celularë). Evidentimi i tyre penalizon kandidatin me përjashtim nga e drejta e konkurrimit. Një ditë pas provimit, kandidatët do të duhet të paraqiten pranë qendrave të përcaktuara ku kanë dredhur edhe pagesat për të vijuar fazën e dytë të provimit, i cili zhvillohet me gojë. Me marrjen e dëshmisë mbi njohuritë e gjuhës çelet dhe procedura e regjistrimit paraprak. Të drejtën për regjistrim paraprak do ta gëzojnë të gjithë studentët shqiptarë që plotësojnë kushtet e vendosura nga universitetet italiane. Do të jenë po universitetet italiane që pasi të marrin kërkesat në shqyrtim, do të vendosin për pranimin e studentëve shqiptarë, kjo gjithmonë në varësi të vendeve në dispozicion për studentët e huaj.

Dokumentet
1- Kërkesa për regjistrimin paraprak (Modeli A)
2- Formulari i Autentifikimit të Fotografisë
3- Dëftesa e Pjekurisë në origjinal
4- 2 fotokopje të formularit A1
5- 2 fotokopje të certifikatës së njohjes së gjuhës italiane (CELI 3)
6- Origjinali dhe dy fotokopje të plota të titullit të studimit
7- Fotokopje e dy faqeve të para të pasaportës
8- 2 fotografi me ngjyra
Dokumentet duhet të futen në zarf, mbi të cilin duhet të shkruhet qartë: Emri dhe mbiemri i studentit; universiteti, fakulteti, dega e studimit; numri i telefonit (celular, telefon shtëpie, apo edhe adresë e-mail-i nëse ka); mesatarja e notave (për studentët që e kanë marrë Dëftesën e Pjekurisë)

15 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›