E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi, 21 herë super Eto



Vetëm Pedro ka bërë më mirë se ai. Në vitin e paharrueshëm 2009, Pedro Eliezier Rodriguez Ledesma, i lindur në Santa Kruz të Teneferifes në vitin 1987, i njohur te Barcelona si Pedrito, pasi është rritur në kantierin katalanas, ka shënuar në të 6 kompeticionet e fituara nga skuadra e Guardiolës: Ligën spanjolle, Ligën e Kampioneve, Botërorin e Klubeve, Kupën e Mbretit, Superkupën e Spanjës dhe Superkupën e Europës. Samuel Etosë i mungoi firma vetëm në një trofe, ai i Superkupës së Europës, që nga ana tjetër është i vetmi trofe i pa fituar nga Interi për vitin 2010. Pesë në gjashtë, por ajo mund të shtohet nëse këtu futen edhe golat e realizuar me Kombëtaren e Kamerunit. Me katër golat e shënuar me përfaqësuesen e vendit të tij, Samuel Eto ngjitet në shifra të njëjta me Kavanin midis Napolit dhe Uruguait. Duke qenë se jemi në mes të sezonit, nëse kjo shifër do të dyfishohej atëherë do të thoshte 50 gola. Edhe një detaj i vogël: interisti ka shënuar 21 golat e tij me zikaltërit në vetëm 25 ndeshje, çka do të thotë një mesatare stratoferike shënimi: 0.84 gola për ndeshje.

LODHJA – Eto ka shënuar gjysmën e golave të tij te Interi edhe kur ishte Milito, dhe gjysmën tjetër kur Milito mungonte për shkak të dëmtimit. Argjentinasi ishte shënuesi kryesor kur Interi drejtohej nga Zhoze Murinjo, por “Princi” duhet thënë se ka përfituar shumë edhe nga mungesa në sulm e shokut të skuadrës. Thjesht tani, Eto është kthyer në qind për qind. Murinjo e kishte bindur që, duke u lodhur më shumë si një mesfushor anësor, do të shënonte më pak, por do të fitonte më shumë. Shkoi pikërisht kështu, megjithatë Eto nuk kishte më dëshirë të shënonte më shumë. Benitezi e afroi më afër portës dhe golat e tij u rikthyen si në kohën kur ai luante te Barcelona. Tani Leonardo duhet të bëjë një tjetër hap, duhet të gjejë pikën e komunikimit midis dy sulmuesve. Edhe nëse Milito rikthehet ai i një viti më para, atëherë do të ketë vend për t’u argëtuar dhe synuar seriozisht për titullin.

PËRKËDHELJA – Dygolëshi kundër Xhenoas, dopjeta e pestë për të këtë sezon, ka meritën se e çoi Interin një hap më përpara drejt Kupës së Italisë. Shumiva e golave të Etosë janë vepra të autorit. Për shembull goli kundër Kaljarit dhe ai dyti kundër Xhenoas kanë diçka të përbashkët: lehtësinë dhe ëmbëlsinë me të cilën Eto e trajton topin me të dyja këmbët, në fazën përgatitore dhe në atë ekzekutimit. Në Kaljari kishte përpara Astorin: top në kufijtë e zonës, pozicion qendror, kontroll i dyfishtë me të djathtën, e goditje finale me të majtën, gjithçka e ndodhur në një moment të vetëm; kundër Xhenoas ndryshuan vetëm këmbët, përdori të majtën për të ledhatuar krosimin e Maikonit, duke lënë jashtë kohe Moretin, dhe goditi me të djathtën përpara se topi të prekte tokën. Madhështore.

CHAMPIONS – Eto është në krye të klasifikimit të golashënuesve të Ligës së Kampioneve me 7 gola, një më shumë se fituesi i “Topit të artë”, Lionel Mesi. Përkundrazi, ndodhet në vendin e pestë në Serinë A me 9 gola, pas Di Natales dhe Kavanit (13), Di Vaios (11) dhe Ibrahimoviçit (10). Për shkak të skualifikimit të gjatë dhe Botërorit të klubeve (por dhe me dy ndeshje për t’u rikuperuar), Eto nuk shënon që nga 21 nëntori i vitit të kaluar. Atë të diel, duke mbërritur në kuotën e 9 golave, ishte në krye të golashënuesve të Serisë A. Tani dëshiron të riniset. Të shtunën në Bolonja, ai rikthehet në sulmin drejt titullit dhe kundër katër topçinjve që janë akoma përpara tij. Seria A është e paralajmëruar.

E habitshme, kuvajtiani Al-Mutava,
“topçiu” i botës për vitin 2010

Në vend të dytë renditet Samuel Eto. David Vija i treti, Mesi i teti

Qysh nga viti 1991, Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe
Statistikave në Futboll, IFFHS, publikon renditjen vjetore të “Top-golashënuesit” më të mirë në botë. Kuvajtiani Bader Al-Mutava, golashënuesi më i mirë i vitit 2010 (17 gola), dhe Samuel, si lojtari i vendit të dytë (po 17 gola), do të nderohen me trofeun e artë dhe të argjendtë gjatë ceremonisë “Ëorld Football Gala 2011”, e që do të mbahet së shpejti. Në këtë klasifikim bëjnë pjesë lojtarët që kanë shënuar gola ndërkombëtarë në të gjitha ndeshjet e Kombëtares A, finale të turneve olimpike, të kompeticioneve (inter) kontinentale të FIFA-s, UEFA-s, apo dhe konfederatave të tjera kontinentale, ai ato aziatike, afrikane, amerikane, etj., për periudhën nga 1 janari deri në 31 dhjetor, janë marrë në konsideratë në këtë klasifikim.

RENDITJA – Bader Al-Mutava, i skuadrës kuvajtiane Al-Qadisia dhe i Kombëtares së Kuvajtit, është edhe shënuesi më i mirë me 17 gola, po aq sa Samuel Eto i Interit, që u rendit i dyti. Ndryshe nga sulmues i Kamerunit Al-Mutava ka shënuar 10 gola me Kombëtaren dhe 7 gola me ekipin e tij, ndërkohë që Eto ka realizuar 8 gola me Kamerunin dhe 9 me Interin. Sipas rregullores së IFFHS-së, nëse numri i golave është i njëjtë, atëherë lojtari që ka shënuar më shumë gola në ndeshjet ndërkombëtare me Kombëtaren A, renditet më lart. Kjo situatë ka ndodhur pesë herë tani. Në vitin 1992 (Denis Bergkamp/Rai), 2000 (Rivaldo/Romario), 2003 (Tieri Hernri/David Trezege), 2009 (Shinij Okazaki/Didier Drogba) dhe tani në vitin 2010, kur janë po dy lojtarë që kanë shënuar të njëjtin numër golash: Bader Al-Mutava dhe Samuel Eto, nga 17 gola. Në vend të tretë renditet David Vija (dikur i Valencias, sot i Barcelonës) me 16 gola; holandezi Klas Jan Huntelar është i katërti me 14 gola. Në dhjetë vendet e para janë dhe kuvajtiani, Al-Sulaiman (14), uruguaiani Edinson Kavani (14), uruguaiani Diego Forlan (14), argjentinasi Lionel Mesi (14), meksikani Havier Hernandez (13) dhe jemenasi Al-Nono (13). Interesant është fakti, se ylli i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo (7 gola) renditet në vendin e 60-të.

STATISTIKA - Në vitin 2010, 24 lojtarë (25 në 2009-n) shënuan dhjetë dhe më shumë gola ndërkombëtarë, tetë prej tyre nga janë amerikanojugorë, gjashtë europianë, katër aziatikë, dy afrikanë dhe katër nga zona e KONKAKAF-it. Nga 81 lojtarë (85 në vitin 2009) që shënuan shtatë apo më shumë gola në vitin 2010 nga Europa janë 27, ndërkohë që 81 shënuesi më të suksesshëm të golave ndërkombëtarë janë nga 48 vende të ndryshme. Brazili (7) dhe Argjentina (5) janë të përfaqësuar më shpesh. Në raport me kampionatet, 8 prej 81 golashënuesve janë nga kampionati spanjoll, 8 nga Bundesliga, 7 nga Premier Liga, etj.. Është për t’u theksuar se dy kuvajtianë dhe dy uruguaianë janë midis “top-10”.

TRE TË PARËT
1. Bader Al-Mutava Al-Qadisia/Kuvajt 17 gola (10/7)
2. Samuel Eto Inter/Kamerun 17 gola (8/9)
3. David Vija Valencia/Barça/Spanjë 13 gola (10/6)

Reali, tetë emra për një vend sulmuesi

Një ditë pasi drejtori sportiv i Real Madrid-it, Jorge Valdano konfirmoi se klubi i tij po kërkon në merkato një sulmues, janë nëntë emrat që përfliten si lojtarë të ardhshëm të madrilenëve. Gazeta spanjolle sportive “Marca”, shkruante se Miroslav Kloze i Bajernit të Munihut dhe Emnanuel Adebajor i Arsenalit figurojnë si favoritë për të fituar vendin. Megjithatë, lista është shumë më e gjatë se kaq. Luis Fabiano i Seviljas mund të përbëjë një zgjidhje të shkëlqyer momentale pas dëmtimit 6-mujor të Higuainit, ashtu si Mario Gomez i Bajern të Munihut dhe Lisandro Lopez i Olimikut të Lionit. Emra surprizë në këtë listë janë paraguaiani Valdez i Herkulesit, Adam Szalai i Maincit dhe golashënuesi më i mirë i Bundesligës, greku Theofanis Gekas, aktualisht në radhët e Eintrahtit të Frankfurtit.

Luftë Inter-Çelsi për Sançezin

Interi duhet të mposhtë konkurrencën e Çelsin për blerjen e talentit të Udinezes, Aleksis Sançez, pasi siç raportojnë gazetat italiane, edhe londinezët janë përfshirë në këtë tratativë. Skuadra e Abramoviçit ka gati një ofertë prej 25 milion eurosh për futbollistin, por Interi përgjigjet me një ofertë prej 20 milionësh dhe përfshirjen në operacion të njërit prej Biabianit apo Obit. Zikaltërit duken ende të favorizuar për operacionin, pasi talenti francez Biabiany vlerësohet shumë prej drejtuesve të klubit friulan. Megjithatë, besohet se në fund diferencën do ta bëjë vetë dëshira e Sançezit futbollistin mendohet se është i interesuar edhe Mançester Junaitid ndërsa Aleks Fergusoni ka kohë që ndjek zhvillimet e tij.

Kasano: “Milani, eksperienca ime e fundit”

Antonio Kasano, sulmuesi barez i Milanit, u prezantua zyrtarisht si futbollist kuqezi. Në konferencën për shtyp të organizuar me këtë rast, Kasano u shpreh se aventura kuqezi do të jetë e fundit për të si futbollist. “Shpresoj që të luaj sa më gjatë të jetë e mundur. Kjo do të jetë eksperienca ime e fundit. Kam arritur në majë, më lart se Milan nuk ka”, është shprehur talenti barez. Më tej, “Fantantonio” shtoi: “Nëse bëj gabime edhe tek Milan, atëherë jam për tu shtruar në çmendinë. Nëse do të punoj mirë, kthehem në kombëtaren italiane.” “Kam bërë shumë gabime, por nuk pendohem për asgjë”, - përfundoi Kasano.

15 Janar 2011

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›