E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjashtohen nga legalizimi 10 091 ndërtime informale në Tiranë



Anilejda Shëmbitraku

Në Tiranë janë 10 091 ndërtime infromale, të cilat përjashtohen nga procesi i legalizimeve pasi, sipas të dhënave të ALUIZNI-t, këto objekte nuk kanë kryer vetëdeklarimet. Nga 69 458 ndërtime infromale që ndodhen në kryeqytet dhe që janë miratuar nga KRRTRSH-ja, vetëm 59 367 kanë plotësuar vetëdeklarimet. Por duket se dhe këto ndërtime, që automatikisht janë përjashtuar nga procesi i legalizimet, do të duhet të prishen nga Policia Ndërtimore.

Afatet
Të gjitha subjektet që zotërojnë ndërtime pa leje kanë qenë të detyruara që, duke filluar nga 60 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit për legalizimin e zonave informale, t`i vetëdeklarojnë ato (objektin pa leje dhe parcelën ndërtimore) pranë zyrës së urbanistikës të njësisë përkatëse. Zyra e urbanistikës pranë njësisë së qeverisjes vendore, në përputhje me detyrat e ngarkuara nga ligji, është e detyruar të pranojë vetëdeklarimet për një periudhë 4-mujore nga data e fillimit të afatit të parashikuar në nenin 1 të ligjit për legalizimet. Për organet e qeverisjes vendore, të organizuara në njësi administrative ose rajone, vetëdeklarimi kryhet pranë këtyre njësive ose zyrave të rajonit. Periudha e vetëdeklarimit ka qenë një proces vullnetar për të gjitha subjektet gjatë 2 muajve të parë, pas miratimit të ligjit, ndërsa gjatë 2 muajve të dytë procesi i vetëdeklarimit shoqërohet me sanksione.

Likuidimi
Ndërsa personat që nuk kanë deklaruar pronat e tyre nuk kanë asnjë mundësi legalizimi, ata që vijojnë procesin e legalizimeve duhet të likuidojnë faturën financiare. Likuidimi i çmimit të truallit të parcelës ndërtimore bëhet menjëherë në çastin e nënshkrimit të kontratës. Përjashtim nga rregulli i mësipërm bëhet vetëm për likuidimin e çmimit të ndërtimeve me destinacion banimi. Në këto raste, në mungesë të aftësisë paguese, subjekti ka të drejtë të shlyejë çmimin e blerjes, sipas kërkesës së tij, me dy këste, që shlyhen brenda 1 viti nga data e kontratës. Subjekti që ndodhet në kushtet e paaftësisë financiare duhet ta deklarojë këtë fakt në çastin e vetëdeklarimit të ndërtimit pa leje. Zyra qendrore e ALUIZNI-t ka të drejtë të miratojë zgjatjen e afatit të pagesës së detyrimit për subjektin individual, i cili nuk ka likuiduar këstin sipas kontratës. Afati maksimal për përmbushjen e këtij detyrimi është jo më shumë se 3 vjet të tjerë.

PROCEDURAT
Pezullimi në zona të ndotura

1. Këshilli i Ministrave ka të drejtë të pezullojë zbatimin e procedurave të legalizimit të objekteve pa leje, në territore me nivel të lartë ndotjesh mjedisore, si dhe të zbatojë ose të planifikojë strategji për eliminimin e ndotjeve të mjedisit në zonë sipas afateve konkrete. Këshillat e qarkut paraqesin, brenda 30 ditëve nga përfundimi i afatit të caktuar, propozimet konkrete për pezullimin e procedurës së legalizimit për shkak të nivelit të lartë të ndotjes. Këshilli i Ministrave e shqyrton propozimin e paraqitur brenda 30 ditëve nga depozitimi i të gjithë dokumentacionit dhe merr vendim për këtë çështje.
2. Njësitë e qeverisjes vendore duhet të identifikojnë dhe të regjistrojnë të gjithë banorët e vendosur në zona të njohura dhe problematike për nivelin e ndotjeve dhe të njoftojnë me shkrim ALUIZNI-n.
3. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, në bashkëpunim me inspektoratin ndërtimor e urbanistik të bashkisë/komunës/qarkut, merr masa të posaçme për parandalimin e ngritjes së ndërtimeve të reja në këto zona.

Pezullim i mundshëm
Ne rastet kur, si pasojë e shqyrtimit të një mosmarrëveshjeje në gjykim ndërmjet subjektit dhe pronarit të truallit, privat ose kufitar, gjykata ka vendosur masë sigurimi, procedurat për legalizimin e shtesës së objektit pezullohen dhe rifillojnë sipas këtij ligji, kur masa e sigurimit humb fuqinë e saj, me kusht që shtesa pa leje të jetë vetëdeklaruar brenda afatit të përcaktuar në ligj.

SANKSIONET
Ja gjobat për vonesat e vetëdeklarimeve

Kur vetëdeklarimi nuk kryhet brenda afateve ligjore, të vendoset kjo masë gjobe:
1. Për “vendbanimet informale” dhe "territore të tjera":
a- brenda muajit të tretë, vetëdeklarimi shoqërohet me gjobë 10 lekë për metër katror sipërfaqe toke të zënë;
b- brenda muajit të katërt, vetëdeklarimi shoqërohet me gjobë 20 lekë për metër katror sipërfaqe toke të zënë;
c- në përfundim të afatit të vetëdeklarimit subjektit i humb e drejta e legalizimit.
2. Për "vendbanimet formale" zbatohen të njëjtat tarifa dhe afate, por i referohen:
a- sipërfaqes së parcelës, për ndërtime "vila";
b- sipërfaqes së ndërtuar (m² ndërtim) për shtesa familjare, jo për qëllime shitblerjeje;
c- sipërfaqes së ndërtuar (m² ndërtim) shumëzuar me koeficientin 3, për shtesa komerciale nga subjektet fizike dhe juridike, për qëllime shitblerjeje/qiradhënieje.

15 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›