E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maunja me drogë, kapet trafikanti i dytë

 

Trazhgim Sokolaj

Bie në pranga trafikanti i dytë i 50 kileve hashash që u kapën në Kakavijë më 29 mars 2009. Pëllumb Shkrela, nga Fieri, u arrestua dje në Tiranë me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas burimeve të policisë, i akuzuari i dytë për trafikimin e drogës kishte ardhur nga Fieri në kryeqytet për t’u interesuar lidhur me mikun e tij Eduart Kane, të prangosur më 29 mars 2009 në Kakavijë, pasi në maunën e tij u gjetën 50 kilogramë marijuanë. Falë njohjeve personale dhe bashkëpunimit të dyshuar në trafikun e drogës me Eduart Kanen, i arrestuari i djeshëm Pëllumb Shkrela, është nisur nga Fieri për në Tiranë, me qëllim që të interesohej për mikun e tij të arrestuar 11 ditë më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pasi ka mbërritur në kryeqytet, i dyshuari mësohet se ka tentuar të merrte kontakt me personat dhe strukturat që po analizojnë shkencërisht marijuanën që u kap në maunën e mikut të tij gjatë tentativës për të kaluar në Kakavijë. Përpjekjet e Shkrelës për të ndihmuar mikun e tij kanë marrë fund me arrestimin e të akuzuarit të dytë, falë një skeme të ideuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe të vënë në zbatim nga agjentët e Antidrogës. Organi i akuzës është vënë në dijeni se Pëllumb Shkrela nga Fieri, po interesohej lidhur me ekspertizën e lëndës narkotike që ishte kapur në automjetin e mikut të tij. Pasi ka marrë këtë informacion, prokuroria ka urdhëruar policinë që të mbante në vëzhgim personin nga Fieri, me qëllim monitorimin e veprimeve të tij. Rreth mesditës agjentët e Antidrogës janë urdhëruar të ndalojnë Pëllumb Shkrelën, i cili menjëherë është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku u janë marrë gjurmët e gishtave. Prej dhjetë ditësh prokuroria kishte vënë re se në qeset e marijuanës kishte edhe disa gjurmë të tjera, që i përkisnin personave të tjerë nga i arrestuari Eduart Kane. Krahasimi i shenjave të Pëllumb Shkrelës me gjurmët e gjetura në qeset e drogës së bllokuar në Kakavijë më 29 mars 2009, ka rezultuar pozitiv. Pas administrimit të provave të tjera, Prokuroria urdhëroi menjëherë arrestimin e Pëllumb Shkrelës, i cili ishte bashkuar në qelitë e paraburgimit mikut të tij Eduart Kane, të cilin kishte ardhur ta ndihmonte duke u interesuar për ekspertizën e drogës. Sipas Prokurorisë, gjurmët e gishtave të Pëllumb Shkrelës në qeset e marijuanës që u gjet në makinën e mikut të tij, e implikojnë të dyshuarin në tentativën e trafikimit të drogës drejt Greqisë. Bëhet fjalë për lëndën narkotike që u bllokua gjatë aksionit “Rrëshqitja” në Kakavijë, Gjirokastër, kur Eduart Kane tentoi të kalonte në Greqi me mjetin e tij tip MAN me targa FR 7934 C. Sipas verifikimeve të Prokurorisë, makina në fjalë i përkiste një firme të vogël ndërtimi me qendër dhe aktivitet në Roskovec të Fierit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›