E rrallë, grabitet shtylla 10 m e tensionit të lartë
SARANDE/ SHPRESA DINE
Një vjedhje e rrallë është realizuar mbrëmjen e të enjtes në afërsi të fshatit Çukë. Një nga shtyllat e tensionit të lartë është shkulur me mjete të rënda, pa lënë asnjë gjurmë, duke shkaktuar mbetjen në errësirë për orë të tëra të gjithë zonën e banuar. Një grup vjedhësish kanë shkulur me vinç shtyllën prej hekuri, rreth 10 metra e lartë dhe nga askush nuk janë diktuar. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Çukë, pranë antenave të ish-radiostacionit. Ajo është mësuar vetëm pasi nga shkëputja e shtyllës, zonës së Çukës, fshatrave përreth, deri në shtëpitë periferike të qytetit të Sarandës, u është ndërprerë papritur energjia elektrike. Drejtori i OSSH-së, Arben Kasapi, sapo ka konstatuar se bëhej fjalë për heqjen e shtyllës, ka lajmëruar me shpejtësi në sallën operative të komisariatit të Sarandës. Ai u shpreh se në afërsi të Çukës, tek antenat, ishte vjedhur me shkulje një shtyllë hekuri e tensionit të lartë 10 kilovolt. Sipas drejtorit Arben Kasapi, pohohet se shtylla, tashmë e vjedhur, ishte e fundit e linjës. Me të rënë në tokë shtylla automatikisht janë stakuar çelësat në nënstacionin elektrik të Sarandës, duke u bërë dhe ndërprerja e energjisë. Për rreth 3 orë zona nga nënstacioni e deri në Çukë mbrëmjen e së enjtes ka qenë pa energji elektrike, deri sa u bë i mundur rregullimi i kësaj linje. Policia ka nisur kërkimet për autorët, të cilët dyshohen se e kanë vjedhur shtyllën për të shfrytëzuar hekurin e saj në ndërtimin e vreshtave ose për shkrirjen e saj për skrap, për të përfituar një sasi të konsiderueshme parash.