Maxhuni: S’do të ndodhin më kidnapime të policëve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka thënë se kidnapime të policëve më nuk do të ndodhin. Ai ka theksuar se qytetarët nuk do të shohin më pamje të tilla, siç u panë të shtunën.
Sipas tij, Policia e Kosovës do t’i përgjigjet me të gjitha mjetet në dispozicion ndonjë përpjekje të tillë sikurse të shtunën.
Maxhuni tha për RTK-së se policët nuk janë keqtrajtuar dhe se PK-ja do të vazhdojë që t’i kryejë detyrat e saj në përputhje me obligimet ligjore dhe kushtetuese edhe në kufirin me Serbinë.
Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë, KFOR-i dhe EULEX-i kanë vendosur komunikim me autoritetet serbe dhe policët shpejt do të lirohen.
Njoftohet se Policia e Kosovës ka përforcuar patrullimet e policëve kufitarë në kufirin me Serbinë dhe ata tashmë patrullojnë në grupe më të mëdha, në mënyrë që në rast nevoje të mund t’i përgjigjen çfarëdo provokimi nga ana serbe.