E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Maya”: Histori dashurie në një provincë shqiptare

14/01/2011  Me skenar të Luljeta Lleshanakut, filmi “Maya” mund të cilësohet si tentativa për të komunikuar njerëzit shumë mirë me njëri- tjetrin.

Ngjarjet zhvillohen në një qytet të vogël. Regjisori Pluton Vasi ka preferuar Petrelën, fshatin turistik pak kilometra larg Tiranës për filmin e tij, “Maya”, i cili do të shfaqet prej sot për publikun në kinematë e Tiranës.

Bashkë me skenaristen Luljeta Lleshanaku, sjell një copëz historie së Shqipërisë së sotme, por edhe Shqipërisë së djeshme.

Kur filmi u shfaq premierë për një publik të vogël të zgjedhur në tetor të 2010-ës, filmi nga ata pak që mundën ta shihnin u cilësua si një tentativë “për të komunikuar njerëzit shumë mirë me njëri- tjetrin”.

Ngjarjet e filmit vendosen në një “qytet” të qetë, ku ujërat trazohen pikërisht në momentin e ardhjes së të “huajit”. Samiu, një i ri nga Evropa me origjinë shqiptare, sjell në Shqipëri, sipas amanetit, eshtrat e të atit i larguar pas Luftës së Dytë Botërore. Ai vendos të qëndrojë edhe vetë në vendin e origjinës, por kjo nuk është e lehtë.

Në film interpretojnë aktorët: Gent Kame, Arben Derhemi, Alert Çeloaliaj, Xhevair Zeneli, Mariana Kondi, etj., si dhe aktorë fare të rinj, që shfaqen për herë të parë në film, siç është Rovena Lule, e cila mban peshën kryesore në film, në rolin e Maya-s, një grua e martuar, nënë e dy vajzave, e cila dashurohet me të sapoardhurin nga Perëndimi (Genti Kame).

“Maya” është i pari film artistik me metrazh të gjatë i regjisorit Pluton Vasi, përgjithësisht ka krijuar në gjininë e dokumentarit.

Dy vjet më parë, filmi i tij artistik me metrazh të shkurtër “Shqetësimet e një obezi” u prit suksesshëm dhe u nominua ndër më të mirët në disa festivale ndërkombëtare, mes të cilave dhe në Festivalin e “Filmit Swansea Bay” në Uells në Britaninë e Madhe, një festival që organizohet me mbështetjen e aktores hollivudiane Catherine Zeta Jones dhe Michael Sheen OBE.

Vasi është autor edhe i filmave dokumentarë: “Lojë botësh”, “Mjekër e thinjur”, “ǒdo të thotë”, “Kënga”, “Gjitoni”. “Kënga” u nderua me çmim të parë në Festivalin Botëror të Arshivës për Filmin Dokumentar, zhvilluar në Badenbaden të Gjermanisë në korrik 1997.

Ky dokumentar ka në qendër të tij një nga zërat më origjinalë të muzikës së lehtë shqiptare, Artisten e Popullit Vaçe Zela. Filmi jep historikun tragjik të këngës shqiptare deri në prag të Festivalit të këngës në Radio-Televizion, organizuar më 1996.

Filmi “Maya”, realizimi më i fundit i Pluton Vasit është një prodhim shqiptar me buxhet të vogël i “Art Film P&D”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›