E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria një vend pjesërisht i lirë

14/01/2011  Raporti i “Freedom House”

Kosova vazhdon ta ketë statusin “pjesërisht e lirë”, njësoj sikurse edhe Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina. Ndërsa Serbia dhe Mali i Zi kanë statusin e vendeve “të lira”. Ky është një nga vlerësimet e raportit të fundit të “Freedom House”, lidhur me gjendjen e lirive politike dhe të drejtave të njeriut në botë. Ka vetëm një rajon në botë, ku gjendja e lirive dhe të drejtave të njeriut vazhdon të përkeqësohet për çdo vit që nga 2001. Dhe ky territor, sipas “Freedom House”, është hapësira e vendeve të dala nga ish-Bashkimi Sovjetik, me përjashtim të vendeve baltike. Me rënien e Ukrainës nga vend i lirë në vend pjesërisht të lirë, nuk ka më vende që i takojnë kategorisë së shteteve të lira në zonën ish-sovjetike. Kjo rënie në vazhdimësi përfaqëson periudhën më të gjatë të përkeqësimit të situatës pandërprerë në 39 vitet që kur publikohet ky raport. Sipas raportit, dy janë zhvillimet madhore në kah negativ në këtë rajon: zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, që u pasuan nga dhuna dhe arrestimet masive të opozitës, si dhe rënia e shkallës së lirisë në Ukrainë. Nga ana tjetër, Rusia e Bjellorusia në renditjen e këtij raporti rreshtohen në mesin e regjimeve më të fuqishme autoritare në botë, bri Iranit, Kinës e Venezuelës. Rusia, vend i përcaktuar si jo i lirë, është ajo që përcakton tendencat në rajon. Në total, sipas raportit të “Freedom House”, numri i vendeve të lira në vitin 2010 ra në 87, nga 89 që ishte një vit më parë. Numri i vendeve që janë demokraci zgjedhore ka rënë në 115, krahasuar me 123 që ishte në 2005-n. “Me pak fjalë, 2010 nuk ishte një vit i mbarë për lirinë”, - thuhet në përfundim të raportit të publikuar nga “Freedom House”, në lidhje me lirinë e vende diktatoriale të Evropës Lindore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›