Mazhoranca: Nuk do ketë shtyrje të tjera, koha për ligjin e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit
Hapja e dosjeve të regjimit komunist vazhdon të mbetet një tjetër kriter i standardizuar nga Këshilli i Evropës dhe NATO, por që ende vazhdon të mbetet një cështje, në dukje abstrakte dhe pa veprime konkrete, sa e lehtë për t’u sugjeruar, aq më e vështirë për t’u zbatuar praktikisht. Kjo çështje që kthehet herë-herë në jetën politike shqiptare, e tillë mbyllet, thjesht me prononcime dhe thirrje për hapjen e tyre, pasi sigurimsat kanë akumuluar strukturat e larta të administartës shtetërore dhe jetën politike në vend. Ajo që duhet vlerësuar, është fakti se kjo temë shume e diskutuar nuk zhduket nga axhenda e politikës, por që ka nevojë për aksione konkrete dhe zbardhjen e dosjeve të sigurimit, si një domosdoshmëri e standardizuar nga NATO dhe BE, drejt dy strukturave të më sukseshme, në të cilat synojmë të arrijmë, brenda një kohe të caktuar në koherencë me plotësimin e kritereve. Kësisoj, mazhoranca parlamentare e udhëhequr nga PD, është përpjekur për vite me radhë që të zbardhë të gjithë të inkriminuarit në çështje të sigurimit të shtetit, gjatë përiudhës së egër komuniste, maoiste. Dy ditë më parë, deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, bëri thirrje që PD duhet të fillojë të bëjë dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, në mënyrë që t’i largohemi njëherë e përgjithmonë asaj të kaluare të dhimbshme nën terrorin e egërsisë komuniste. Në të njëjtën linjë mendimi është shprehur dje Partia Republikane, ‘pro’ hapjes së dosjeve për bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit. Kreu i Grupit Parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, deklaroi se “ne republikanët jemi deklaruar plotësisht për të bërë një proces transparence në këtë drejtim, në përputhje me të gjithë rekomandimet e ndërkombëtarëve”. “Qëndrimin tonë ne e kemi bërë publik me draftet e paraqitura në Parlament”, tha Madhi. Sipas tij, këto drafte janë të përfshira eventualisht në axhendën e punës së Kuvendit dhe do të jepet kontributi në momentin që ato do të programohen. Ndërsa Kryetari i Bashkimit Liberal Demokrat, Arjan Starova, shprehu qëndrimin e kësaj force politike për hapje të dosjeve të periudhës së sistemit komunist. Starova tha se “është një proçes që duhet të ishte bërë prej kohësh dhe do të ishte më e mira që të mos humbej më kohë në këtë drejtim, sepse këto dosje, janë pjesë e një debati publik, e një pakënaqësie dhe është një detyrë dhe një shqetësim i politikës së vërtetë shqiptare”. Sipas tij, nuk duhet më të spekullohet me këto dosje. “Është mirë të hapen dhe kam besim që meqënëse kjo nismë është tashmë në duart e Parlamentit, dhe për këtë është prononcuar disa herë dhe Kryetarja Topalli, besoj që do të jetë një proces që do të nisë së shpejti”, tha Starova. Duke u ndalur tek rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për këtë çështje në vitin 2006, kreu i BLD-së shtoi se “rezoluta ka konfirmimin që duhet të hapen dosjet, por nga rezoluta deri në hapje duhet bërë një hap tjetër, duhet bërë një ligj, duhet të merret një nismë ligjore dhe besoj që PD si partia më e madhe e koalicionit të djathtë duhet ta nisë”. “Duke folur në emër të BLD, ne do të japim mbështetje të plotë për këtë”, u shpreh ndër të tjera Starova. Gjatë qeverisjes së parë të PD-së, që u referohet viteve të para të ’90-ës, pati përpjekje serioze për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, pasi u miratua legjislacioni përkatës dhe filloi të zbatohej ky legjislacion. Por, ky proçes u ndërpre pas ardhjes së të majtës në pushtet në vitin ‘97 dhe me kalimin e viteve procesi gradualisht u sfumua. Dihej se majta shqiptare nuk kishte vullnet për të bërë dekomunistizimin. Zakonisht ky është mision i së djathtës, dhe me riardhjen e saj në pushtet në vitin 2005 ky proçes duhej të vazhdonte, në mënyrë që shoqëria shqiptare, edhe pse disi vone, të ndahej një herë e mirë nga ajo e kaluar e hidhur. Kjo deri tani nuk ka ndodhur, madje sot nuk ka asnjë garanci që të mos ketë kudo ish-bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Përderisa nuk ka një legjislacion që t’i vërë barrierë ish-bashkëpunëtorëve, ata mund të jenë kudo. Vetëm ligji dhe zbatimi i tij do t’i pengonin ata për të qenë aty ku mund të jenë sot në mënyrë tepër të dyshimtë. Ndërkaq, deputeti Biberaj, vuri në dukje gjithashtu se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një rezolutë për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri, rezolutë që bazohej në dy rezoluta të Këshillit të Europës, rezolutë që parashikon edhe hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit. “Stadi i ri, në të cilin ka hyrë Shqipëria pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, si dhe rruga drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe BE, e bëjnë procesin e hapjes së dosjeve të domosdoshëm, sepse në NATO dhe BE nuk shkohet me njerëz të Traktatit të Varshavës apo të KNER-it, por me njerëz që janë kompatibël me modelet e NATO-s dhe BE-së”, u shpreh Biberaj dy ditë më parë për mediat. Megjithatë, çështja e hapjes së dosjeve është rikthyer përsëri në axhendën ditore politike, ashtu si edhe shumë herë të tjera të kaluara, por vullneti i klasës politike, duhet të përshpejtojë drejt zbardhjes së ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit dhe të largojë njëherë e përgjithmonë klikat e mercenarizuara të sistemit komunist enverist gjatë 45 viteve të errëta të tij.
Leonard Quku
Leonard Quku