E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca konfirmon nisjen e reformës së thellë ne institucionet e sigurisë kombëtare

Kreu i qeverisë Sali Berisha ka ripërsëritur dje qëndrimin se reformimi i institucioneve të sigurisë është shumë i domosdoshëm, pas ngjarjes tragjike të Gërdecit. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se pas marrjes së ftesës së NATO-s, institucionet shtetërore do të përfshihen nga reforma të thella. “Reformat në institucionet e sigurisë kombëtare janë mëse të domosdoshme. Në këtë institucion tashmë reformat kanë filluar dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim. Duke iu përgjigjur interesit të medias për një qartësim më bindës së reformës në institucionet e sigurisë kombëtare dhe nëse lidhet kjo me emra të përcaktuar, kreu i ekzekutivit vuri në dukje se “reformimi është tërësor, unë e kam theksuar dhe e ritheksoj se pa reforma, cilindo që të shkarkosh apo vendosësh, nuk e ke sigurinë”, tha Berisha. Institucionet e sigurisë kanë rolin e tyre dhe dua të vlerësoj se ato vepruar në mënyrë dinjitoze në dhënien e ndihmës së menjëhershme zonës në Gërdec. “Forcat e ushtrisë u gjendën aty, forcat e policisë ushtarake u gjendën menjëherë në vendin e shpërthimit, aksush nga ata nuk tha se nuk futemi në kraterin e shpërthimit. Gjithsesi dua të bëj me dije se për parandalimin e të tilla ngjarjeve të rënda duhet të gjetur një rrugë shumë e sigurtë, e cila mendoj se është vetëm reformimi”, theksoi më tej Kryeministri Berisha. Sipas tij, është i nevojshëm një studim i të gjitha sistemeve, për të parë ku e patën problemin dhe çfarë ndodhi. Duke theksuar se organi qendror i akuzës po vazhdon hetimet drejt nxjerrjes së përgjegjësve të tragjedisë, Berisha bëri me dije se
me ngjarjen e Gërdecit tashmë prokuroria po heton me shumë seriozitet dhe do të nxjerrë shumë shpejt përgjegjësit e ngjarjes. “E theksoj, Prokuroria do të nxjerrë përgjegjësitë individuale, por përgjegjësitë janë më gjerë. Në rast se ne bëjmë një studim dhe analizë serioze, siç e kanë bërë edhe vende të tjera, dhe ndërmarrim reformën e këtyre institucioneve, i vendosim ato në pozicione që raste të tilla të mos u shpëtojnë më”, vijoi më tej kryeministri Berisha. Duke u ndalur tek elementët e këtij reformimi, shefi i ekzekutivit nuk ka dashur të tregojë institucionet të cilat do të preken nga këto reforma të thella duke përmendur vetëm që këto reforma do të jenë shumë të rëndësishme dhe të domosdoshme. Gjithsesi sipas Kryeministrit, reformat në institucionet e sigurisë kombëtare janë mëse të domosdoshme. Kryeministri theksoi se nuk është vetëm reforma e Shërbimit Informativ Shtetëror që e zgjidh këtë situatë, por një reformë tërësore e institucioneve të sigurisë kombëtare. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë vuri në dukje se reformimi, në thelbin e tij, ka një koncept më të gjerë, ku përfshin reformimin e shumë institucioneve që kanë lidhje me sigurinë e vendit. Në këtë institucion sipas Berishës tashmë reformat kanë filluar dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›