E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca ngre komisionin për shkarkimin e Kreshnik Spahiut

Share

(E PERDITESUAR) – Kuvendi ka votuar ditën e sotme ngritjen e një Komisioni Hetimor për shkarkimin e zëvendëskryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ky komision është ngritur me 73 votat pro të mazhorancës, ndërsa 57 deputetët e opozitës kanë votuar kundër.

Spahiu i nisi një letër kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, nga e cila kërkonte që të jepte argumentet e tij para deputetëve, para se të vendosej për ngritjen e Komisionit, por kërkesa e tij nuk është marrë parasysh nga Topalli.

###

Deputeti demokrat Viktor Gumi, deklaroi se 33 deputetë kanë firmosur kërkesën për largimin e Spahiut si nënkryetar i KLD-së, pasi sipas tij, “Ai shkeli Kushtetuten duke diskretituar me sjellje të pahijshme institucionin kushtetues”.

Partia Socialiste  deklaroi se nuk do të votonte pro ngritjes së komisionit parlamentar për hetimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Në emër të Partisë Socialiste deputeti Fatmir Xhafa theksoi se opozita e kundërshtonte ngritjen e komisionit, pasi sipas tyre i mungon morali politik.

Ne nuk do ta votojmë këtë komision dhe nuk do të bëhemi pjesë e tij. Kjo, jo sepse mbrojmë Kreshnik Spahiun, pasi puna e tij lë shumë për të dëshiruar në krye të KLD-së, por ne mendojmë se këtij komisioni i mungon morali politik. Ne kundërshtojmë ngritjen e komisionit sepse mendojmë se nuk është në përputhje me Kushtetutën, theksoi Xhafa.

Kjo është një nismë e cënueshme në frymën kushtetuese. Kërkesa dhe mënyra se si është hartuar është një gjë e sforcuar dhe nuk është në përmbushje të kritereve të Kushtetutës, theksoi më tej Xhafa.

Sipas tij, PD-së nuk i intereson veprimtaria e Kreshnik Spahiut në KLD, por e ardhmja e tij në politikë, sepse i trembet se ai mund t`u marrë votat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›