E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i KE, Shqipëria 1 milion emigrantë

Komisionerja e BE, Sesilia Malmstrom

Komisioni Europian publikoi dje raportin e tretë vjetor mbi emigracionin dhe azilin. Sesilia Malmstrom, komisionere për Punët e Brendshme në Bashkimin Europian, theksoi se gjatë vitit të shkuar BE-ja priti rreth 20 milionë qytetarë të botës. Në 2011, Bashkimi Europian priti pothuajse 10 % të emigrantëve të botës. Kjo shumë është rreth 20 milionë njerëz, ose 4% e popullsisë së BE-së, thuhet në raportin e paraqitur nga Malmstrom. Shqipëria në këtë raport përmendet vetëm një herë, duke u renditur në vend të tretë për numrin më të lartë të banorëve të huaj të BE-së, referuar të dhënave të Eurostat. Grupet me numrin më të lartë të rezidentëve me kombësi nga vende të treta në 2009-n ishin nga Turqia, (përafërsisht 2.4 milionë), Maroku (gati 1.8 milionë) dhe Shqipëria (përafërsisht 1 milion banorë), thuhet në raportin e Komisionit Europian. Për azilin ne duhet të vazhdojmë të përmbushim detyrën tonë për ti dhënë strehë atyre që kërkojnë mbrojtje dhe të kompletojmë sistemin e përbashkët europian për azilin gjatë 2012-s, siç kanë rënë dakord vendet anëtare. Është e qartë se një nga dobësitë e sotme të Shengen-it është se vlerësimi është rishikuar tepër dhe për pasojë ne nuk kemi qenë në gjendje për të vepruar në kohë ndaj dobësive të mundshme në menaxhimin e kufirit të një vendi, shtoi komisionerja Malmstrom. Raporti vjetor për emigracionin dhe azilin në BE, gjatë 2011-s shoqërohet edhe me sondazhet e bëra nga Eurobarometër, ku rezulton se 53% e qytetarëve europianë mendojnë se emigracioni pasuron vendet e Bashkimit Europian në mënyrë ekon-omike e kulturore. Komisioni Europian brenda këtij viti pritet të miratojë edhe një ligj, i cili sipas ish-raportueses për vizat më Shqipërinë, pritet të përdorë mekanizmin e bllokimit të përkohshëm të vizave, vetëm në raste krize dhe si masë ekstreme. Ne po diskutojmë për mekanizmin e bllokimit të përkohshëm të regjimit të lirë të vizave. Është shumë e rëndësishme, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor që qytetarët të dinë se cilat janë rreziqet që ai mund të sjellë dhe në çmënyrë ata mund të parandalojnë abuzimet me lëvizjen e lirë, deklaroi eurodeputetja Fajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›