E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca “ok” parimisht për draftin e PS-së

16/03/2010 “Ligjet” debaton për hapjen e kutive. Socialistët tërhiqen, sulmojnë ndërkombëtarët

PD do paraqesë amendimet e saj për projektin, priten debate të ashpra

Anëtarët e të dy blloqeve politike në Komisionin parlamentar të Ligjeve miratuan parimisht amendamentet e socialistëve për të ndryshuar ligjin “Për komisionet hetimore”, për të vijuar sot me diskutime nen për nen të tij. Pas një debati prej disa orësh komisionerët kanë riprezantuar qëndrimet e tyre politike, ku nga njëra anë mazhoranca ka pranuar të bëjë kompromis në respektim të ligjit dhe Kushtetutës, dhe nga ana tjetër PS është treguar gjithashtu e gatshme për çdo lloj kompromisi politik dhe teknik. Madje për këtë shkak ajo ka reflektuar një lloj tërheqjeje nga kërkesa fillestare për hapjen e kutive të votimit, duke saktësuar se për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore nuk ekziston asnjë vendim të gjykatave. “Duke iu referuar Kodit Zgjedhor rezulton se ka dy lloj kutish: kutia me fletët e votimit dhe ajo e materialeve zgjedhore. Arsyetimi juaj se hapjen e kutive nuk e lejojnë vendimet gjyqësore, është tërësisht e pasaktë, për shkak se, mosmarrëveshja juridike në gjykatë ka qenë e lidhur me të drejtën procedurale për rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit dhe jo me kutitë e materialet e votimit. Duke vijuar me këtë lloj arsyetimi atëherë nuk do të kishte asnjë lloj pengese, të paktën për të hapur kutitë me materialet zgjedhore, përderisa nuk ka një vendim gjykate që të jetë shprehur për këto kuti. Ju jeni të gatshëm për ta bërë një gjë të tillë? Me sa dëgjuam jo. Nuk ju lejon urdhri politik”, - deklaroi Xhafa në fjalën e tij. Në përgjigje të sulmit politik, kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputet i Partisë Demokratike, Ilir Rusmali u shpreh optimist për gjetjen e kompromisit mes palëve, duke u kujtuar kundërshtarëve se krizat politike që prodhohen për të ndryshuar ligje me dhunë, janë të destinuar të dështojnë. “Unë besoj që ne do ta gjejmë kompromisin lidhur me këtë projektligj, sepse sa herë ka pasur kriza politike në Shqipëri dhe gjetke, njerëzit e mençur e kanë gjetur zgjidhjen e krizave tek ligji, tek Kushtetuta, tek rregullat e lojës. Sa herë që krizat politike prodhohen për të ndryshuar me dhunë ligjin, Kushtetutën, apo rregullat e lojës, ato dështojnë dhe nuk janë jetëgjata. Unë besoj se ne zgjidhjen e këtij problemi do ta gjejmë tek Kushtetuta dhe vendimet gjykatës Kushtetuese dhe do të ecim përpara jo vetëm për hetimin e zgjedhjeve, por me të gjitha proceset parlamentare që ne kemi”, - tha Rusmali.

Fatos Hoxha

“Në emër të popullit opozitar të ulemi dhe të diskutojmë 32 vërejtjet e OSBE-së. Nëse kërkoni absurdin me urdhër të kryetarit gaboni, por dhe i hapni probleme edhe shqiptarëve. Edhe diskutimet tuaja ua kishte shkruar kryetari. Hiqni fjalën e kryetarit dhe thërrisni logjikën”.

Aldo Bumçi

“Pse qytetarët janë kundër kontrollit në shtëpi, pse kemi frikë ne nga hapja e kutive se ka diçka në të? Policia në asnjë vend demokratik nuk mund të kontrollojë shtëpinë nëse nuk ka vendim gjykate. Zbatimi pa vendim gjykate, pa rregulla pa prova, do të shkatërronte demokracinë”.

Bashkim Fino

“Çfarë bëjnë të huajt me ne? Më falni që po ua them por nga një palë zgjedhje në tjetrën tallen me ne, me fjalinë e famshme ‘zgjedhjet këtë radhë ishin më të mira se herën e kaluar’. Kjo është fjalia e çdo herë që vijnë, marrin paratë dhe pastaj ikin pasi kanë thënë këtë fjali”.

Akuzat e Rusmalit

“Rama kërkon të bëhet kryeprokuror i zgjedhjeve”

Kreu i komisionit, Rusmali tha se kreu i selisë rozë Edi Rama kërkon të marrë atributet e prokurorit, ndërkohë që ishte vetë ai që i menaxhoi këto zgjedhje. “Qielli me tokën të përmbysen, z. Rama nuk e ndryshon sistemin bipartizan të menaxhimit. Ai s’mund të pranojë që menaxhimi i zgjedhjeve të ardhshme të bëhet nga njerëz të tjerë përveç se, nga komisionerët e vet, ose t’i menaxhojë vet Rama, të bëhet kryepërgjegjës i zgjedhjeve si kundër do të bëhet kryegjyqtar, kryeprokuror i tyre. Por ky është element i fort keqbesimit, mbi të cilën elementë mirëbesimi nuk mund të ngrihen dot”, - tha ai.

Kodi Zgjedhor

Në nenit 178 parashikohet se “menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga KZAZ-ja, të gjitha kutitë e vulosura të votimit me procesverbalet e votimit, vulën e komisionit, fletët e votimit të përdorura në zgjedhje, si edhe fletët e votimit të papërdorura i dërgohen KQZ-së. Pas përfundimit të afatit për ankimet, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”.

Projektligji i PS-së

Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve për Kuvendin dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e komisionarëve mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit, duke kryer rinumërimin e tyre.

Drafti i PD-së

Sekretari i komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së, Eduard Halimi pritet të prezantojë draftin me amendamentet përkatëse ndaj projektit të socialistëve të miratuar në parim nga komisioni i Ligjeve. Propozimet e tij mendohet të përqendrohen tek kufizimi i legjislativit tek objekti i hetimit, si dhe moslejimi me dispozita ligjore i ndërhyrjes tek vendimet e gjyqësorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›