E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mazhoranca parashikon votë unike për Kodin i ri zgjedhor dhe ligjin “Për Prokurorin디

Kuvendi, gati të miratojë sot dy ligje të rëndësishme

TIRANE - Teksa zhvillohet sot seanca e fundit e kuvendit për sesionin e dytë dhe të fundit parlamentar të 2008-ës, ligjvënësit shprehin votën e tyre për Kodin e ri Zgjedhor dhe ligjin “Për Prokurorinë”.
Pritet që seanca e datës 29 dhjetor të miratojë dispozitën kalimtare të propozuar dhe të miratuar nga Komisioni për Reformën Zgjedhore ligjin elektoral. Por ligji i ri zgjedhor pritet të ketë oponencë vetëm nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane, të cilat e kanë vlerësuar këtë Kod si përjashtues për forcat e vogla politike. Zvarritja e diskutimeve dhe marrja e një vendimi nga ana e Komisionit për Reformën Zgjedhore solli dhe rebelimin e Partisë Socialiste, e cila bojkotoi seancat parlamentare deri në momentin kur Kodi të kalonte në Kuvend. Por pas një kohe jo shumë të shkurtër, gati pas tri javësh, komisioni i dha zgjidhje kësaj çështjeje, duke diskutuar vetëm dekretin e kreut të shtetit dhe duke lënë jashtë propozimet e Lëvizjes Socialistë për Integrim. Konsensusi mes dy partive më të mëdha politike në vend do të shtrihet edhe për projektligjin “Për Prokurorinë”. Projektligji në fjalë është mbështetur nga përfaqësues të lartë të demokratëve dhe socialistëve gjatë diskutimit të mbledhjen e Komisionit parlamentare të Çështjeve Ligjore, zhvilluar javën e kaluar. Nënkryetari i komisionit, deputeti socialist Fatmir Xhafaj, ka deklaruar në emër të forcës politike që përfaqëson mbështetjen ndaj draftit. Sipas tij, projektligji është tërësisht i mbështetur në Kushtetutën e vendit dhe nuk krijon asnjë përplasje dhe organi i Prokurorisë kurrsesi nuk vihet nën presionin e ekzekutivit. Në fakt, PS pak kohë më parë ishte shprehur kundër draftit duke nënvizuar se përmes tij kërkohet të ushtrohet presion politik ndaj Prokurorisë. Por më pas, ata konstatuan se në projektligj ishin marrë parasysh edhe rekomandimet nga ndërkombëtarët.
Ndërkohë, shumica parlamentare shprehet e sigurt se ekziston vullneti që edhe opozita të shprehë votën e saj “pro”, për këto dy ligje të tepër të rëndësishme që shënojnë mbylljen e një viti plot zhvillime dhe procese politike që ngjallën jo pak debate gjatë dy sesioneve parlamentare.
Përfaqësues të mazhorancës u shprehën për 55-ën, se sot Kuvendi i jep fund një prej çështjeve më të diskutuara si Kodi i ri Zgjedhor, pas ndryshimeve që iu bënë dekreteve të Presidentit.
Gjithashtu, konfirmohet se konsensusi nuk do të mungojë as për ligjin e “Për Prokurorinë”

Eris Hoxha
Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherazi anëtar i komisionit parlamentar të ligjeve Eris Hoxha, u shpreh për “55”-ën se “pas mbylljes së diskutimeve në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, ku edhe u miratuan ndryshimet që kishin të bënin thjesht më një problem teknik, sot kuvendi do të votojë me votë unanime Kodin e ri Zgjedhor”.
Sipas deputetit demokrat ndryshimet në kodin zgjedhor reflektuan vetëm në dekretet e Presidentit, për të cilat u arrit edhe akordi në komisionin e posaçëm.
“Ne si mazhorancë e kemi shprehur qëndrimin tonë për mbylljen sa më parë të reformës zgjedhore, por klima jo e favorshme politike dhe mungesa e dialogut të konsensusit nga ana e opozitës, bënë që reforma zgjedhore të pësonte tejzgjatje të pacaktuar. Por, kam bindjen e plotë se sot ashtu si edhe në votimin e herës së kaluar ky ligj do të marrë votat e nevojshme si të mazhorancës ashtu edhe të një pjese të opozitës. Prandaj nuk di të ketë ndonjë qëndrim negativ çka mund të mundësojë ndonjë zhvillim të papritur sot. Vetëm disa parti të vogla të opozitës e kanë bërë të ditur tashmë qëndrimin e tyre ndaj Kodit të ri zgjedhor, dhe ky është problemi i tyre, pra është problem i opozitës në tërësi, komentet tona janë të paefektshme”, u shpreh deputeti Hoxha.
Ndërsa lidhur me ligjin “Për Prokurorinë”, deputeti i PD-së Eris Hoxha evidentoi konsensusin e të dyja palëve të shprehur në komisionin e ligjeve dhe sipas tij ashtu si ligji zgjedhor edhe ligji “Për Prokurorinë” miratohet sot me votat e PD-së dhe PS-së.

Arian Madhi
Kreu i grupit parlamentar në Partinë Republikane Arian Madhi shprehet i sigurt se mazhoranca në tërësi bashkë me disa parti të opozitës, kryesisht me PS-së, miratojnë sot në kuvend me votë unanime, Kodin e ri Zgjedhor, i cili u rikthye përsëri në Kuvend nga presidenti i Republikës, për një çështje teknike.
Pas diskutimeve që iu bënë në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, dhe miratimit të ndryshimeve që kanë të bëjnë me dekretin e presidentit, duke miratuar një dispozitë kalimtare që përcakton periudhën kohore për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, ligji i ri zgjedhor votohet sot përfundimisht në kuvend.
“Është faktuar tashmë në mënyrë të plotë se Presidenti i Republikës mund të dekretojë si datë të zgjedhjeve vetëm njërën prej tyre ose në fillim të muajit pra datën 8 qershor ose atë në fund të tij, që është data 28. Lidhur nga diskutimet në komisionin e posaçëm, mund të them se nuk pati asnjë koment apo kundërshtim nga PD dhe PS, përveç kundërshtimit të shprehur prej kohësh të LSI-së që të njëjtin qëndrim mbajti edhe në komision. Përfaqësuesi i LSI-së këmbëngulte në kërkesën e tij lidhur me përfaqësimin në komision, kërkesë të cilën në nuk e morëm parasysh,  sepse ne e quajtëm tërësisht të motivuar veprimtarinë e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore si veprimtari e cila parashikohet në përputhje me vendimin e kuvendit të Shqipërisë i cili ka mandatuar këtë komisionin vetëm për të reflektuar ndryshimet në përputhje me vërejtjet e Presidentit apo për shkaqe për të cilat kreu i shtetit e ktheu këtë ligj përsëri në Kuvend”, u shpreh Madhi. 
Ndërkaq, porsa i takon ligjit “Për Prokurorinë”, që gjithashtu miratohet sot në Kuvend, Madhi deklaroi se “edhe ky ligj kaloi në komisionin parlamentar të ligjeve me konsensus të plotë”. Ajo që vlen për t’u theksuar është se opozita shprehu konsensus të hapur gjatë diskutimeve në komision për ta miratuar këtë ligj, i cili siç është theksuar synon të rregullojë funksionimin e Prokurorisë. Por lidhur nga ana tjetër nuk ka pasur një lloj vërejtjeje për sa i takon përmbajtjes së ligjit “Për Prokurorinë”, ku me gjithë komentet e ndryshme të aspektit politik në një klimë të tensionuar politike, fakti tregoi se përderisa opozita nuk parashtroi asnjë vërejtje apo propozim për të ndryshuar ligjin e prokurorisë, konsensusi nuk kishte arsye pse të mungonte.
Dua të shtoj gjithashtu se ligji “Për Prokurorinë” është i hartuar mjaft mirë dhe ka pasur konsulta të gjëra me ndërkombëtarët për të siguruar standardet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›