E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca prezanton kandidatët për deputetë në njësinë nr.4, të kryeqytetit

12-06-2013 / Gazeta 55

Në një atmosferë të zjarrtë dhe entuziazmi të jashtëzakonshëm, Partia Demokratike prezantoi dje kandidatët për deputetë në njësinë bashkiake nr.4, në zonën e “Kinostudios”, Tiranë. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD dhe njëherësh, kryeministri Sali Berisha theksoi vendosmërinë e demokratëve për të vijuar investimet në të gjitha lagjet e Tiranës, për rritjen e pagave dhe pensioneve dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Kryeministri u zotua përpara banorëve të kryeqytetit, për investimin e 22 milionë dollarëve në zonën e “Kinostudios”. “Jam sot këtu tek ju banorët  e lagjes 4, ku së bashku me ju kam kaluar vite  e vite të jetës sime, për tu zotuar para jush se së bashku me kryetarin e bashkisë, Lulëzim Basha, deputetin tuaj, Arben Qirjako do të bëjmë gjithçka për rindërtimin në të 4 anët e kësaj lagje, të infrastrukturës më moderne për rikthimin e saj në rrugën  e madhe të zhvillimit. Do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj për rritjen e mirëqenies tuaj. Ju duhet ta dini se qeveria ka ndërtuar për ju, për lagjet tuaja 1 miliard lekë investime dhe së bashku me bashkinë do të investojmë në lagjen tuaj, më shumë se në të gjitha dekadat të marrë së bashku. Do të investohen 22 milion dollarë. Qeveria do të mbështesë bashkinë e Tiranës për rivitalizimin e të gjithë territorit të lagjes tuaj, rrugë, rrugica , kanale, ujësjellës shkolla, çerdhe dhe gjithçka tjetër. Brenda një viti në këtë lagje do të investohen 22 milion dollarë”- u shpreh Berisha. Një nga projektet madhore për Bashkisë së kryeqytetit, është edhe lumi i Tiranës e bulevardi i madh, të cilat gjenerojnë mijëra vende të reja pune. “Ndërkohë në lumin e Tiranës, dhe bulevardin e madh do investohen edhe 60 milionë Euro të tjera. Me këto investime ne krijojmë mijëra vende pune për ju  dhe qytetarët e Tiranës. Ne mundësojmë hapjen e mijëra bizneseve të reja në të gjithë territorin e lagjes dhe  në mbarë Tiranën. Ne mundësojmë në këtë mënyrë  krijimin e dhjetëra, mijëra vendeve të punës. Vetëm në territorin midis Aeroportit dhe Tiranës po ndërtohen dy parqe gjigante Logjistike në të cilat do të punësohen 30 mijë qytetarë të Tiranës”- tha kryeministri. Duke e cilësuar 23 qershorin si ditën e vendimit të madh, Berisha tha se qytetarët do të votojnë për alternativën e zhvillimit dhe integrimit. Kryeministri garantoi se vitin e parë të mandatit që vjen nuk do të ketë familje në këtë lagje, në Tiranë dhe në Shqipëri në varfëri ekstreme. “23 qershori po afron, është dita e madhe e vendimit tuaj, e vendimit për fitoren e 23 qershorit, e vendimit për Tiranën e shekullit 21, e vendimit  të punësimit tuaj, për rroga më të larta dhe pensione më të larta, e vendimit  për shndërrimin e blloqeve të të gjithë kësaj lagjeje në blloqe të një kryeqyteti të zhvilluar. Ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO,  ne hoqëm vizat, ne do të anëtarësojmë Shqipërinë mbi bazën e meritës  tonë në Bashkimin Europian. Ëndrra jonë evropiane nuk do të ndalet kurrë. Jam sot këtu, për tu zotuar  para jush se vitin e parë të mandatit që vjen nuk do të ketë familje në këtë lagje, në Tiranë dhe në Shqipëri në varfëri ekstreme. Shqipëria dhe shqiptarët do të ndahen njëherë e përgjithmonë nëpërmjet rritjes  së ndihmës ekonomike, rritjes së punësimit, nga varfëria e madhe nga ato skaje ku ekziston. Kjo është alternativa jonë, alternativë e faktuar me  integrimin e Shqipërisë në NATO, e faktuam së bashku me heqjen e vizave, e faktuam së bashku me rritjen e pensioneve dhe rrogave, e faktuam së bashku  me ndërtimin e infrastrukturës moderne në Shqipëri. Do të faktohet më tej, do të provohet në lagjet tuaj, në mbarë  Tiranën. Unë u jap fjalën këtu, se qeveria  do të financojë ndërtimin dhe rindërtimin në Tiranë  të 250 km rrugë me  përparësinë më të madhe”- tha ai. Gjithashtu, kryeministri akuzoi socialistët për mashtrime, trillime e shpifje. “Cila është alternativa tjetër? Mashtrime, trillime, sharje dhe mallkime.  Por ato le ti hedhim me një akt dhe të mos konsumojmë asnjë minutë duke u marrë me to. Le t’ia lemë shokut të çlodhet në autobuz. Vazhdo të çlodhesh. Ne le të vazhdojmë në përpjekjen tonë të mëtejshme për të ulur më tej taksat, për të ndërtuar një jetë më të mirë, për  të ecur drejt Europës dhe të vazhdojmë për një punësim më të madh, rrogave më të larta, mirëqenie  më të madhe, për Tiranën ëndrrës së qytetarëve të saj. Për Tiranën e ëndrrës së shqiptarëve kudo që janë, për Tiranën, metropolin evropian”- përfundoi Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›