Mazhoranca pritet të miratojë ligjin që i hap rrugë importit të plehrave, para Kuvendit mbahet protestë
Mazhoranca pritet të miratojë përsëri ligjin Për menaxhimin e integruar të mbetjeve edhe pse Presidenti i Republikës e ktheu atë për përmirësim.
Kreu i PD-së Sali Berisha tha kjo gjë ishte e drejtë kushtetuese e Presidentit por e cilësoi kthimin si vendim politik dhe se të tillë përgjigje do ti kthejë edhe mazhoranca.
Por çfarë do të ndodhë nëse ligji kalon sot në Kuvend? Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë të kthejë atë përsëri. E vetmja mundësi është Gjykata Kushtetuese.
Në argumentin e Topi për kthimin e ligjit thuhet se neni 49 (i projektligjit) kufizon mundësinë e arritjes së objektivit Kushtetues për një mjedis të shëndetshëm.
OSBE u shpreh e gatshëm për të ofruar asistencë me anë të specialistëve të saj por duket se mazhoranca nuk do të pres por kërkon që ligji të hyjë në fuqi sa më shpejt.
Ndërsa opozita nuk dihet nëse do të ketë shumë në dorë për të parandaluar miratimin e këtij projektligji.
Sot, gjithashtu para Kuvendit organizohet një protestë për të shprehur qëndrimin kundër miratimit të projekligjit që i hap rrugën importit të plehrave.