Jahjaga pret në një takim lamtumire shefin e OSBE-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në një takim lamtumire shefin e OSBE-së, ambasadorin Werner Almhofer. Sipas njoftimit nga Presidenca, në takim u bisedua për zhvillimet më të fundit në Kosovë me theks në përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale, kur rol të rëndësishëm ka luajtur misioni i OSBE-së.
Shefi i OSBE-së theksoi rëndësinë e reformave në Kosovë në përputhje me kriteret evropiane, duke përmendur konkretisht reformën zgjedhore të cilën e cilësoi si shumë të rëndësishme.
Ndërsa, presidentja Jahjaga tha se reformat nëpër të cilat do të kalojë Kosova janë në interes të qytetarëve, shtetit por edhe institucioneve të Kosovës. Ajo theksoi se reformat e kërkuara nga BE-ja janë parakusht për ndërtimin e shoqërisë demokratike ku sundon rendi dhe ligji dhe respektohet Kushtetuta.