E Enjte, 5 Nëntor 2026

Mazi: Po punojmë fort që konferenca ndërqeveritare të mbahet!

Kryenegociatori për integrimin në BE, Zef Mazi ka deklaruar se po punohet fort që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet brenda presidencës portugeze. Deklaratën e tij zoti Mazi e bëri pas takimit të përbashkët me ministren austriake të BE dhe Kushtetutës, Karoline Edstadler dhe ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
“Po punohet fort si nga ana e Shqipërisë edhe nga ana e shteteve të unionit që të mbyllet me pozitivitet brenda këtij 6 mujori të presidencës portugeze” tha Zef Mazi.
Ministrja Edstadler u shpreh se Austria do ta mbështesë shqipërinë në procesin e integrimit. “Është çështje sigurie për BE që të vazhdojmë me këtë proces. Ju duhet të vazhdoni me reformat tuaja. Përgëzime për hapat që keni marrë.  Ka shumë për të bërë dhe Austria do t’ju mbështesë. E dyta është një çështje besueshmërie nga ana e BE që të vijojmë me procesin e anëtarësimit. Po bëjmë maksimumin që të bindim miqtë në BE që hapat e mëtejshëm duhet të përmbushen në muajit që vijon të vitit” tha zonja Edstadler.
Ministrja Spiropali tha se “Folëm mbi progresin që Shqipëria ka bërë për integrimin në BE dhe nevojën për konferencën e parë ndërqeveritare brenda presidencës portugeze. Austria dhe ministrja është një mbështetëse e madhe e Shqipërisë dhe Ballkanit. Austria ka luajtur një rol kyç si një njohëse shumë e mirë e Ballkanit dhe Shqipërisë”.
Ajo bëri të ditur se “Jo vetëm korniza negociuese nga Shqipëria është kryer, por edhe vendimi i BE për kredibilitetin e institucioneve do të shkojë në vend dhe Shqipëria do marrë vendimin e merituar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›