E Diel, 1 Nëntor 2026

Maziar Bahari: "Torturat e mia në burg, sepse sfidoja regjimin"

Ndonjëherë ndodh që jashtë ferrit të pret parajsa. Kështu i ndodhi Maziar Baharit, gazetarit 42-vjeçar kanadezo-iranian i "Newsweek", dhe bashkëpunëtor i mediave të tjera ndërkombëtare: pak ditë pasi u lirua nga burgu i Evinit, ku qëndroi i mbyllur për rreth 4 muaj, në javët pas rizgjedhjes aq shumë të diskutuar të Mahmud Ahmadinejad në presidencën e Iranit, gruaja e tij, Paola, solli në jetë vajzën e tyre të parë, Marianna Maryam. "Është shumë e bukur, por për momentin nuk bën gjë tjetër veçse fle dhe ushqehet", tregon ai. Ndoshta mund të jetë për shkak të vajzës, ndoshta për shkak të lirisë së rigjetur, por zëri i Baharit duket shumë i qetë. Nuk duket fare si njeriu që ka kaluar 118 ditë në duart e Gardës Revolucionare me akuzën e të qenit një spiun.
Zoti Bahari, si nisi ankthi juaj?
Ishte data 21 qershor. Erdhën në shtëpinë time në orën 4 të mëngjesit. Nëna ime e hapi derën dhe ata i thanë se kishin një letër për mua. Shkatërruan dhomën time, e kthyen përmbys, pastaj më morën me vete. "Ju jeni i ftuari ynë", më thanë. Pesë makina më prisnin jashtë derës. Kur pashë rrugën, e kuptova se po shkonim në Evin.

E prisnit diçka të tillë?
Jam pyetur shumë herë në të shkuarën dhe jam qortuar për atë çka shkruaja: prisja që të ndodhte përsëri. Por kurrë, as në ëndrrat e mia më të dëshpëruara, nuk e kisha menduar se do të akuzohesha për gjëra që nuk i kisha bërë. Më rrahën, më torturuan, më kërcënuan me vdekje.

Çfarë ndodhi kur vajtët në burg?
Më çuan para akuzuesit tim. Nuk munda ta shihja kurrë në fytyrë. E quanin "Uji i trëndafilave", nga parfumi që përdorte. Më akuzoi se isha një spiun për CIA-n, Mossadin dhe "Newsweek". Nisën ditët e pyetjeve të pafundme dhe shumë të gjata. Dëshironin emrat e bashkëpunëtorëve të mi. Por unë vazhdoja të thosha se isha i pafajshëm.

Dhe kështu nisi tortura?

Në fillim nuk më rrahën. Pastaj nga një ditë në tjetrën nisi dhuna. Shkelma në kokë, pastaj goditje me duar dhe rrip. Dhe kjo nuk është asgjë në krahasim me torturat psikologjike:

njerëzit që drejtojnë Evinin sot, janë ata që janë torturuar aty brenda në kohën e Shahut. E dinë mirë se çfarë mund ta gjunjëzojë një njeri. Më thanë se mund të më vrisnin pa asnjë paralajmërim, se do të më zgjonin në mes të natës dhe do më vrisnin. Torturuesi im më thoshte se do të ishte ai vetë që do të më vendoste litarin rreth fytit, të më hipte në një karrige dhe pastaj ta hiqte, në mënyrë që të vdisja sikur kisha varur veten. I besova, sepse njoh shumë njerëz të cilëve u ka ndodhur kjo.

Për këtë u rrëfyet?

Një natë më thanë se ishin gati të më akuzonin zyrtarisht për spiunazh. Në Iran, një akuzë e tillë implikon domosdoshmërish edhe fajin. Më shpjeguan se hetimet mund të vazhdonin për 4-6 vjet dhe këto kohë mund t‘i kaloja në izolim. Ajo ishte një ide e padurueshme, kështu që u rrëfeva. E dija mirë që miqtë dhe kolegët e mi nuk do t‘u besonin kurrë atyre fjalëve dhe asnjëherë nuk përmenda emra. I pyeta nëse donin që të flisja për imperializmin e Perëndimit: ata më besuan dhe unë nuk do lëndoja askënd. Kështu shkoi.

Mendoni se kjo ndihmoi në lirimin tuaj?

Nuk e di. Është e vështirë ta shpjegosh. Di që presioni ndërkombëtar ka qenë thelbësor. Një ditë, një roje më thirri: "Zoti Hillary Clinton". I kërkova përse, dhe m‘u përgjigj se
Clinton kishte folur për mua: ka qenë momenti më i lumtur, sepse e kuptova që nuk isha vetëm. Duhet të falënderoj Paolën, që ishte motori i fushatës. E kuptova që presioni funksiononte kur rojet, pas kaq kohësh, thirrën Paolën në mënyrë që t‘i thosha të mos jepte më intervista. Ajo e kuptoi se duhej të bënte të kundërtën. Që nga ai moment, në fillim ndaluan së më rrahuri, pastaj më zhvendosën në një qeli me persona të tjerë dhe në fund më liruan. Unë kam qenë me fat që kam pasur vëmendjen e medias: por kam ende shumë miq në atë burg.

Para se t‘ju linin që të iknit, pati ndonjë kërkesë nga ata?
Më kërkuan që të spiunoja për ta. U shtira sikur pranova. Më dhanë një adresë e-mail-i, ku u ktheva përgjigje nga shtëpia: "Nuk kam spiunuar kurrë në jetën time dhe nuk do ta bëj kurrë". Nuk më kthyen përgjigje, por më kanë ardhur shumë kërcënime: "Mos fol më", "Mos shkruaj më". Jam gazetar dhe regjisor, do vazhdoj ta bëj.

Ky është projekti juaj për të ardhmen?

Po, ky është. Garda e Revolucionit e sheh botën bardhezi: fitorja më e madhe për mua është të vazhdoj të tregoj episodet gri në jetë dhe paradokset në një vend si Irani.

Pas lirimit ju keni shkruar se me Iranin duhet dialogu, një pozicion që ka habitur shumë njerëz?

Duke përfshirë qeverinë në dialog, mund ta bindësh atë se ka shumë për të humbur. Lufta nuk mund të jetë një opsion. Komuniteti ndërkombëtar duhet të flasë me Iranin në emër të stabilitetit në Irak dhe Afganistan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›