Mazniku: Dhjetëra investime në Gramsh gjatë mandatit të katërt

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është duke zhvilluar një takim elektoral me socialistët në Gramsh.
Kreu i PS në këtë takim shoqërohet nga kryebashkiaku i Gramshit, Besjan Ajazi, si dhe nga drejtuesi politik dhe dhe kandidat për deputet i PS në qarkun e Elbasanit, Arbjan Mazniku.
Takimi nisi me këngën e fushatës elektorale të PS, të kënduar nga Noizy, ndërsa u pasua edhe me melodi baritore të luajtura me mjeshtëri nga fyelltarët me cule.
Në fjalën e hapjes, kryetari i bashkisë së Gramshit, Besjan Ajazi, theksoi se qyteti i Gramshit është transformuar falë mbështetjes së qeverisë Rama. Ajazi theksoi se janë ndërtuar shkolla e kopshte me kushte moderne, infrastrukturë rrugore e nivelit të lartë. “Janë kryer investime në katër anët e Gramshit”, tha Ajazi.
“Falë investimeve kemi zhvillim ekonomik dhe turizëm më të madh në Gramsh”, tha ai.
Pas tij fjalën e mori kandidati i PS për deputet të zonës së Gramshit, mjeku Gelton Fejzo, pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të PS në qarkun e Elbasanit.
Drejtuesi Politik i PS në Elbasan, Arbjan Mazniku tha se zgjedhja në 11 maj është mes Shqipërisë në BE dhe “kënetës”.
“Hyrja në BE nuk është thjesht çështja e një pasaporte, që pa dyshim është e rëndësishme pasi është pjesë e dinjitetit tonë, por është një mekanizëm për të patur më shumë investime dhe zhvillim për Gramshin”, tha ai.
“Ju keni një kryetar bashkie shumë të mirë, që mundohet të zgjidhë problemet e qytetit. Ai mundohet për të gjitha problemet tuaja. Por sado të punojë bashkia, sado të punojë Besi, nuk ia del dot të zgjidhi problemet që ka Gramshi po nuk pati mbështetje të qendrës, qeverisë qendrore në Tiranë dhe po nuk pati mundësinë që t’i ketë lënë vend vetes, që kur të marrë në telefon në Tiranë, atje t’ia hapin telefonin.
Njësoj si kjo marrëdhënie mes Gramshit dhe Tiranës, është dhe marrëdhënia mes Shqipërisë dhe BE. Ne na duhet që në krye të punëve të vendit të kemi një njeri i cili ka një vizion sesi zhvillohet Shqipëria. Do ta zhvillojë Shqipërinë, e ka treguar me fakte. Por, i ka lënë vend vetes që kur të marrë në telefon në Europë, t’ia hapin telefonin. Dhe pyetja është e thjeshtë: Si mund ta bëjmë këtë ne, si mund të shkojë Shqipëria në Evropë? Përgjigjja është e qartë me Edi Ramën dhe PS”, tha Mazniku.
Mazniku rreshtoi dhe projektet e PS për mandatin e katërt në Gramsh.
“Ne kemi shumë punë përpara për të bërë. Ky është një mandat që përmes mundësisë për të qenë në BE dhe për ta patur më shumë mbështetje nga BE mund të sjellim dhe më shumë gjëra për Gramshin. Këtu ka nisur një erë e re, turizmi është rritur. Ka turistë të huaj që kanë nisur të vijnë gjithnjë e më shpesh. Kanë nisur agroturizmet e para, çka do të thotë më shumë zhvillim dhe ekonomi për Gramshin”, vijoi Mazniku.
“Këtë mandat asfaltojmë rrugën Bulçalë-Lenije. Rruga për te liqeni zambakëve, rruga te Liqeni i Zi në Grabovën e Sipërme. Rikualifikojmë kanalin vaditës në të Valamarës. Asfaltojmë rrugës Kotovjedh-Kukër, ndërtojmë ujësjellësin e Gradanit. Asfaltojmë Gramsh-Sotir, në Pishaj ndërtojmë ujësjellësin. Ndërtojmë urën e Lirasit. Ujësjellësin e Kabashit, urën e Holtasit. Në Skënderbegaz, asfaltojmë segmentin Gramsh – Skënderbegas”, tha Mazniku ndër të tjera.
1 nga 19/a.f/r.e/