Mazniku: Lëvizja e lirë, premtim i pambajtur
Aktivistë dhe vullnetarë të G99-ës protestuan dje në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas, duke mbajtur në duar pasaportat e tyre, të cilat nuk ju lejojnë lëvizjen e lirë në Evropë, nëse nuk janë të pajisura me viza. Gjatë kësaj proteste, kandidati i G99-ës për Tiranën, Arbjan Mazniku, tha se dështimi i sigurimit të mundësisë për të lëvizur lirisht ishte dështimi i qeverisë "Berisha", e cila kishte premtuar shprehimisht ta siguronte këtë të drejtë në qershor të vitit 2009. Duke treguar fletën e programit të PD-së me premtimin e shkruar, Mazniku tha: "Kemi ardhur këtu për të testuar premtimin e kësaj qeverie, se në qershor të 2009-ës shqiptarët do të mund të udhëtonin kudo në BE pa viza. Siç mund ta shohim, ky premtim nuk është mbajtur". Sipas tij, nuk ka qenë mungesa e dëshirës nga ana e BE-së, por mungesa e aftësisë dhe vullnetit të qeverisë e Berishës për t‘i pajisur shqiptarët me dokumente të rregullta, të cilat do u garantonin atyre këtë të drejtë.