Zgjedhjet detyrojnë të gjithë policët të veshin uniformat
Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit kanë veshur me uniformë të gjithë policët e Drejtorisë së Qarkut të Fierit. Një urdhër i lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk ka përjashtuar nga mbajtja e uniformës as nivelet më të larta drejtuese të policisë. Të gjithë efektivët blu me grada që nga ato më të ulëta deri tek ato më të larta, prej datës 27 maj janë detyruar që të vishen me uniformën e policisë. Zyrtarisht urdhri ka mbërritur me faks në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, mbrëmjen e datës 26 maj. Një ditë më pas, drejtuesi i Policisë së Fierit, Shemsi Premçi, zhvilloi një mbledhje me të gjithë vartësit, të cilëve u ka komunikuar urdhrin. Me uniformë janë veshur jo vetëm inspektorët, kryeinspektorët, komisarët dhe nënkomisarët, por edhe drejtuesit e parë. Nuk janë përjashtuar nga uniforma as shefat e komisariateve, shefat e rendit dhe ata të krimeve. Mësohet se edhe një pjesë e inspektorëve të krimeve, të cilët më parë operonin si civilë, janë urdhëruar të vishen me uniformë policie. Zyra e marrëdhënieve me publikun në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit sqaron për gazetën "Shqip" se efektivët e policisë janë detyruar të vishen me uniformë pas urdhrit të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme dhe kërkesa e llogarisë për respektimin e këtij urdhri do të vijojë deri në përfundim të procesit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në kuadër të menaxhimit të zgjedhjeve nga policia, me dhjetëra uniforma blu të Fierit u janë nënshtruar kurseve speciale dhe trajnimeve të ndryshme disaditore. Pothuaj 70 për qind e policëve të Fierit janë trajnuar për zgjedhjet në Tiranë dhe pjesa tjetër prej 30 përqindësh është trajnuar në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Drejtoria ka marrë edhe masa ekstra për menaxhimin e situatës parazgjedhore dhe zgjedhore. "Kemi rritur nivelin e shërbimit, janë shtuar efektivët në mjaft sektorë operativë, është kërkuar shërbim policor me orare të zgjatura edhe gjatë kësaj periudhe. Policia ka qenë dhe do të jetë e pranishme, në distancë, te të gjitha takimet elektorale. Ndërkohë krerët e policisë kanë afishuar edhe numrat personalë të telefonit për t‘iu përgjigjur çdo situate të mundshme që mund të krijohet gjatë fushatës zgjedhore apo dhe gjatë ditës së votimit", pohojnë për gazetën "Shqip" pranë zyrës së informacionit dhe marrëdhënieve me publikun në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit.