Mbahet protesta e shoqatave të luftës
Megjithë motin me shi, disa qindra veta kanë protestuar sot në Prishtinë, në organizim të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetura nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës dhe OJQ “Koalicioni për Demokraci”.
Protesta me moton “Të gjithë në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së”, ka filluar në ora 12 te Fakulteti i Filologjisë, ndërsa protestuesit kanë marshuar në mënyrë të qetë drejt sheshit “Nëna Terezë”.
Sikur raporton KosovaPress, protestuesit mbanin në duar flamuj kombëtar, flamuj me logo të UÇK-së, ndërsa kishte brohoritje “UÇK-UÇK”, “Çeliku-Çeliku”, “Lironi çlirimtarët”, “EULEX merri plaçkat e ec” etj.
Po ashtu, protestuesit kanë edhe pankartat në të cilat shkruhej: “EULEX jashtë Kosovës”, “Mos banë pazare politike”, “Lufta jonë është e shenjtë”, “Brigada 121 krenaria jonë” dhe mbishkrime të tjera.
Sot protestohet në Prishtinë
Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbështetje edhe të studentëve dhe organizatave tjera joqeveritare, sot organizojnë protestë gjithëpopullore kundër arrestimeve të fundit ish-ushtarëve të UÇK-së nga policia e EULEX-it. Organizuesit e protestës kanë thënë se veprimet e EULEX-it po i kontribuojnë destabilitetit në Kosovë dhe rajon.
Protesta fillon në orën 12, para Fakultetit të Filologjisë, për të vazhduar pastaj marshimi nëpër sheshin “Nëna Terezë“, ndërsa fjalimet do të mbahen para Teatrit Kombëtar. Në mbështetje të shoqatave të luftës janë edhe Parlamenti Studentor i UP-së dhe më se 200 organizata joqeveritare.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka sqaruar në një një konferencë për media se protesta nuk është kundër faktorit ndërkombëtar, por kundër veprimeve të padrejta të EULEX-it.
“Ne do t’i bëjmë thirrje EULEX-it që menjëherë të ndërpresë këto arrestime, sepse janë të padrejta”, ka theksuar jashari.
Po ashtu, protestuesit do të kërkojnë nga institucionet e vendit që të ndalojnë EULEX-in të mos bëjë padrejtësi.
Kryetari i Parlamentit Studentor të UP-së, Selim Daku, ka thënë se studentët do t’i bashkohen protestës, për shkak se po dëmtohen vlerat e luftës së UÇK’së.