E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbahet seanca për rastin Xheladini e Balaj

Prishtinë - Mbahet sot seanca gjyqësore lidhur me rastin e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, të vrarë në protestën e Vetvendosjes më 10 shkurt të viti 2007. Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut, organ këshilldhënës i UNMIK ut, kanë bërë të ditur mbajtjen e seancës në fjalë.

Familja e Arben Xheladinit dhe ajo e Mon Balajt, si dhe të lënduarit, Zenel Zeneli dhe Mustafë Nerjovaj, do të përfaqësohen nga avokatët Paul Troop dhe Jude Bunting, që të dy nga zyra e avokaturës Tooks Chambers nga Britania e Madhe, zyrë kjo e njohur për punën e tyre në të drejtat e njeriut, të cilët i kanë ofruar shërbimet e tyre falas për këtë rast. Në Kosovë familjet dhe të lënduarit janë të përfaqësuar nga avokati Halim Sylejmani, njëherit baba i Arlinda Xheladinit, bashkëshortes së Arbenit. Familjarët dhe të lënduarit ia kanë dorëzuar një ankesë Panelit në muajin tetor të vitit 2007, me anë të së cilës kanë kërkuar që të hapet procedura hetuese penale e pavarur dhe publike për rastin e 10 shkurtit.

Xheladini dhe Balaj janë vrarë nga policët e kontigjentit rumun që shërbenin në kuadër të policisë së OKB së. Familjarët e viktimave në muajin tetor të vitit 2007, kanë kërkuar nga paneli të hapë procedurën hetuese dhe të pavarur me rastin e 10 shkurtit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›