E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbajten peng nje familje te tere arrestohen tre persona

 Tre persona janë arrestuar sepse akuzohen për pengmarrjen e një familje në një fshat të Lezhës.

Ndërsa policia ka vënë në pranga autorët, po heton shkaqet e vërteta të kësaj ngjarje.

Paraprakisht, mendohet se ngjarja ka lidhje me largimin nga shtëpia të vajzës së familjes së autorëve.

Ajo ka lënë të fejuarin që i ka dhënë familja dhe është vendosur në shtëpinë e djalit që donte, pjesëtarët e të cilit në shenjë hakmarrje u morën peng për disa orë.

Kështu, burime të policisë thanë se tre personat hynë në banesën e shtetasit me iniciale L.P, në fshatin Shëngjergj, të Komunës Kacinar, dhe nën kërcënimin e armës se gjuetisë, kanosën pjesëtarët e familjes, i futën të gjithë në automjetin e tyre dhe u nisën në drejtim të Lezhës.

Policia e Lezhës, me anë të një komunikate, njofton se të arrestuarit janë Ndoc Gjoka 29 vjeç, Vladimir Gjoka, 23 vjeç dhe Petrit Brunga, 24 vjeç.

Pas marrjes së sinjalizimit, policia e Lezhës në bashkëpunim me atë të Komisariatit Mirditë bënë të mundur përcaktimin e vendodhjes së autorëve, si dhe të itinerarit të lëvizjes së tyre, çka bëri të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të këtyre shtetasve, në fshatin Kalur të Lezhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›