E Diel, 1 Nëntor 2026

Departamenti amerikan i Shtetit: Zyrtarët serbë kanë nxitur dhunën

Nga Tema

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, Nicolas Burns, i ka telefonuar kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica dhe ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiç, për të protestuar zyrtarisht ndaj djegies së ambasadës amerikane.

Trazirat e parmbrëmshme, djegia e ambasadës amerikane dhe sulmi ndaj disa ambasadave të tjera në Beograd kanë hasur në reagime të ashpra të qendrave ndërkombëtare.

“Mesazhi ishte i qartë, kjo situatë nuk mund të tolerohet. Autoritetet duhet të veprojnë menjëherë, të ofrojnë personelin e nevojshëm, në mënyrë që punonjësit dhe ambasada jonë të mos jenë në rrezik”, - tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Sean McCormak, pas bisedës së Burns me zyrtarët serbë. Burns ia bëri të qartë ministrit të Jashtëm se “ne do ta mbajmë përgjegjëse drejtpërsëdrejti qeverinë serbe për sigurinë e punonjësve tanë të ambasadës”.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit ngriti shqetësimin për informacionet se qeveria serbe ka ndihmuar sulmet.

“Kemi parë shumë informacione shqetësuese se zyrtarët e qeverisë serbe, përfshirë një ministër, kanë nxitur dhunën. Kjo duhet të marrë fund”, - tha McCormak. Edhe zëdhënësja e presidentit Bush, Dana Perrino, ka shprehur pakënaqësi me punën e forcave serbe të sigurisë. Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Mihail Kaminin, ka hedhur poshtë pohimet e ish-ambasadorit amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Holbrook, se pas trazirave në Beograd qëndron Rusia.

Agjencia e lajmeve “Itar Tas” ka transmetuar pohimet e Holbrook-ut, se pas trazirave në Beograd “qëndrojnë rusët”. Zyrtari tjetër i lartë i Dumës ruse, Sergei Mironov, gjithashtu ka hedhur poshtë pohimet e Holbrook-ut, duke thënë se “Rusia kurrë nuk ka nxitur dhe kurrë nuk do të bëjë një gjë të tillë”. Kanë reaguar edhe zyrtarë të Kroacisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Shqipërisë dhe Turqisë, pas sulmeve vandale në ambasadat e tyre në Beograd. Herët në mëngjes ka reaguar edhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Kumtesa e Këshillit të Sigurimit është bërë publike nga ambasadori i Panamasë në Kombet e Bashkuara, Ricardo Alberto Arias, i cili ka thënë së vendet anëtare të KS dënojnë fuqishëm sulmet e turmave kundër ambasadave në Beograd, që kanë rezultuar me dëme dhe rrezikimin e personelit diplomatik.

Ndërsa ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalilzad, para takimit, ka thënë se qeveria e Serbisë në harmoni me ligjin ndërkombëtar është përgjegjëse për mbrojtjen e përfaqësive diplomatike dhe veçanërisht ambasadave.

Ndërkohë, ish-kryekomandanti i forcave të NATO-s për Evropën, gjenerali Wesley Clark, ka deklaruar se përgjegjëse për sulmet e mbrëmshme në përfaqësitë diplomatike konsideron autoritetet serbe dhe organizatorët e mitingut.

Clark ka thënë për rrjetin televiziv MSNBC, se zhvillimet e fundit në Beograd duhet të alarmojnë forcat e NATO-s në Kosovë dhe se Aleanca veriatlantike do të bëjë çfarë është e mundur për të mos lejuar mbartjen e dhunës në Kosovë.

Uashingtoni ka bërë të ditur se trupi i djegur brenda ambasadës amerikane nuk është diplomat amerikan dhe mund të jetë një nga protestuesit. Nga Serbia, deri më tani, ka arritur reagimi i ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiç, i cili ka thënë se këto akte janë absolutisht të papranueshme, për keqardhje dhe dëmtojnë imazhin e Serbisë para botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›