Të përndjekurit para një përndjekjeje të re
Për dy ditë me radhë më është dashur të ndihmoj fëmijën e një ish-mikut tim të burgosur në Spaç, për të plotësuar dosjen e babait dhe nuk kam mundur dot. Një labirinth i tërë kërkesash dhe një procedurë tejet e burokratizuar i ngjan gati një testi për të provuar deri ku shkon kufiri i durimit të një njeriu. Duhet të shkosh te Posta, të marrësh formularin, duhet të shkosh në arkivë të gjykatave ku je dënuar, të marrësh vërtetime, duhet të shkosh në Drejtori të Burgjeve, të marrësh deklaratën e dënimit etj. Të gjitha këto do të ishin të pranueshme sikur, po të shkoje në këto vende, të t’i jepnin, por, nëse aty nuk njeh njeri, përgjigjja e parë është: “Apliko sot dhe eja pas dyzet ditësh.” Megjithatë, kjo është gjysma e së keqes. E keqja e madhe është se këto dy institucione, pa dashur t’i rëndoj, nuk kanë infrastrukturën e duhur të angazhuar për këtë projekt dhe radha e njerëzve të demoralizuar para Drejtorisë së Burgjeve dhe arkivave të gjykatave është poshtëruese. Në përpjekje për të kuptuar ku qëndron problemi real i tyre, e ke të vështirë t’iu vish në ndihmë me komplikimet që i kanë bërë procedurave.
Së pari, Dëshmia e Penalitetit, e cila, sipas kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, mund të verifikohet online, duhet të ketë gjithë dënimet që ka marrë një njeri dhe nuk ka asnjë arsye që një i dënuar të sorollatet në Drejtorinë e Burgjeve apo arkivat e gjykatave për të gjetur sa vite burg ka bërë, ku i ka bërë dhe pse i ka bërë. Ai duhet t’i deklarojë ato në formular dhe Ministria e Drejtësisë duhet ta verifikojë online, nëse ky projekt është i vërtetë.
Së dyti, shumë nga ish-të përndjekurit kanë marrë një status zyrtar vite më parë, kur qeveria ‘Meksi’ iu ka dhënë letra me vlerë dhe s’ka arsye që të mos jenë të vlefshme ato dosje. Administrata zyrtare mund të formojë një data base me to dhe kështu mund të çlirojë shumë burokraci nga ato që poshtërojnë çdo ditë ish-të përndjekurit.
Së treti, shumë të përndjekur ankohen se zyrtarët që kanë punë me ta janë shumë armiqësorë dhe kjo dhe për arsye shumë politike. Administratat e gjykatave dhe Ministrisë së Drejtësisë janë të mbushura me njerëz të regjimit të vjetër që vegjetojnë në zyra dhe kanë në dorë tashmë fatin e atyre që kanë dënuar dikur. Mjafton të shkosh pesë minuta para Drejtorisë së Burgjeve apo gjykatave në Tiranë dhe të dëgjosh ish-të përndjekurit për ta kuptuar sesi po keqtrajtohen ata.
Ligji, i cili dhe ashtu ka plot probleme, duhet së paku të mbështetet me masa ndihmëse administrative që të zbatohet. Ky ligj është shumë specifik për qeverinë, pasi ajo është një shtresë, e cila e ka votuar këtë qeveri. Është fyese që ata të poshtërohen nga batakçinj të administratës dhe të sorollaten rrugëve pa asnjë shpresë. Shumica e tyre, përveçse janë shumë të varfër, janë dhe të paaftë për të gjetur rrugë të tjera të shkurtëra për të mbushur dosjen e tyre të re. Nervozizmi që prodhon burokracia, me të cilën ata ndeshen, është një fyerje për këtë shumicë politike. Ajo iu ka borxh këtyre njerëzve së paku respektimin si qytetarë të barabartë. Në s`iu kthen dot vitet e burgut dhe rininë e tyre të vrarë, së paku t’iu kthejë dinjitetin tani në pleqëri, atyre dhe fëmijëve të tyre, për të parë dhe ata një pushtet që i respekton. Sorollatja që ata bëjnë derë më derë dhe poshtërimi nga aparatçikët që i fyejnë duke mos iua përfillur problemet, është një ridënim i tyre i pamerituar dhe një pabesi politike nga shumica në pushtet.