Mbarë kombi feston “Shqipëria në NATO”

Duke nisur nga Tirana, e cila ka një axhendë të paracaktuar festimesh, aktivitetet festive kanë përfshirë mbarë vendin
TIRANE - Kryeqyteti shqiptar Tirana është veshur tashmë me flamujt e NATO-s dhe flamujt shqiptar që tregojnë më së miri axhendën festive, e cila që nga Strasburgu dhe Kehli ka zbritur tashmë në Shqipëri. Axhenda e festimet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO do të mbërrijnë kulmin e saj ditën e sotme, ku në të përfshihen një sërë aktivitetesh, ndër më të rëndësishmit mbërritja në aeroportin e Rinasit e delegacionit zyrtar të nivelit të lartë që përfaqësoi Shqipërinë në Samitin e Strasburg-Kehl.
Me të shkelur tokën shqiptare, rreth orës 12.00, në aeroportin e Rinasit do të zhvillohet pritja ceremoniale e delagacionit shqiptar, e cila do të pasohet nga një deklaratë për shtyp e Kryeministrit Sali Berisha. Festimet do të vijojnë më tej gjatë pasdites, ku rreth orës 18.15 Kryeministri Berisha do të takohet me studentët e Akademisë së Arteve, në sheshin “Nënë Tereza”.
Në vazhdën e takimeve dhe ndarjes së këtij gëzimi të madh me të gjithë qytetarët shqiptar, rreth orës 18.45, Kryeministri do të ndalojë te oborri i Galerisë së Arteve ku do të takohet me fëmijët.
Më pas, rreth orës 19:00, Kryeministri Berisha do të përshëndesë mitingun “Shqipëria në NATO”, që do të vijojë me një koncert festiv me këngëtarë dhe grupe të njohura muzikore, si Redon Makashi, Aleksandër Gjoka, Jonida Maliqi, grupi kosovar “Kthjellu”, grupi “Elita 5”, si dhe grupi UB40.
Mbi aktivitetet dhe festimet që do zhvillohen sot në Tiranë me rastin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, informoi ditën e djeshme edhe Zëdhënësja e Këshillit të Ministrave, Majlinda Bregu. Zëdhënsja Bregu bëri të ditur se sheshet kryesore të Tiranës kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për organizimin e aktivitetit përshëndetës dhe festiv “Shqipëria në NATO”, i cili do të organizohet sot në orën 19:00, nën kujdesin e veccantë të Kryeministrit Berisha.
Zëdhënësja Bregu tha se “Në këtë event, që është edhe ngjarja më e madhe për kombin shqiptar në këto ditë, besoj se do të ishte jo vetëm e pëlqyeshme, por edhe në ndërgjegjen e gjithsecilit, për të përshëndetur këtë arritje të madhe të Shqipërisë”, tha Bregu.
Duke kujtuar atmosferën festive si dhe momentin historik të këtij Samiti, kur Shqipërisë iu dorëzua kopja e traktatit të Uashingtonit, zëdhënësja Bregu u shpreh se “të gjithë qytetarët kishin mundësi të ndiqnin edhe punimet e samitit dhe konkretisht, momentin më të rëndësishëm kur Shqipërisë i'u dorëzua nga Presidenti amerikan, Barak Obama, kopja e Traktatit të Uashingtonit”.
Duke iu rikthyer aktiviteteve festive, zëdhënësja e Këshillit të Ministrave tha më tej se “Ky moment kulmor do të shoqërohet me përshëndetjen nga ushtria shqiptare me goditjen e 28 topave, si një ceremonial festiv, i cili është në të njëjtën linjë me ceremonialin e festimeve që po zhvillohen edhe në Strasburg-Kehl”, tha Bregu.
Tirana i ka nisur aktivitetet e saj festive duke filluar nga dita e djeshme.
Duket se vala e gëzimit ka përfshirë gjithë Shqipërinë, pasi festimet i kanë kaluar kufijtë e Tiranës, për të mbërritur në ccdo qytet të vendit. Atmosfera festive është ndjerë sot edhe në qytete të tjera të vendit. Në Durrës, rrugët kryesore dhe fasadat e ndërtesave të qendrës janë zbukuruar me flamuj shqiptarë dhe të NATO-s. Qytetarët e kanë konsideruar 4 prillin si një ditë të veçantë për historinë e vendit.
Edhe në Fier hyrja e Shqipërisë në NATO shihet si një mundësi e mirë për rritjen e mirëqenies dhe afrimin e vendit me bashkimin evropian. E njëjta atmosferë dhe i njëjti dekor festiv ka mbuluar të gjitha qytetet e tjera, si Shkodrën, Korçën, Elbasanin, etj.