E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria certifikohet si anëtare me të drejta të plota e NATO-s

Krerët e Aleancës përgëzojnë aderimin e anëtarit më të ri

TIRANE - Aleanca e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), mirëpriti dje si anëtare me të drejta të plota, gjatë seancës jubilare të samitit të 60 në Strasburg dhe Kehl, dy vendet ballkanike Shqipërinë dhe Kroacinë.
Në fillim të samitit, liderët e vendeve anëtare të NATO-s priten në urën mbi lumin Rin, nga Kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti francez Sarkozy
Në vazhdim të samitit jubilar të Aleancës së Atlantikut të Veriut, dje paradite Kancelarja gjermane Angela Merkel priti kryetarët e shteteve dhe qeverive në një pasarele simbolike  që lidh dy shtetet mbi lumin Rin. Në orën 09.45 minuta Kanceralja Merkel i uroi mirëseardhjen kryeministrit Sali Berisha.
Pas kësaj ceremonia të gjithë liderët e vendeve anëtare të NATO-s së bashkë kaluan pasarelen dhe në mes të saj u pritën nga Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozy, i cili ju uroi mirëseardhjen në Strasburg, ku do të zhvillohet edhe dita e dytë e këtij samiti jubilar, që mbahet me rastin e 60 vjetorit të krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Hapja e punimeve të Samitit, u bë me pranimin zyrtar të Shqipërisë dhe Kroacisë, ku Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, shprehu përshëndetjen e tij dhe mirëpriti anëtarësimin me të drejta të plota në NATO të Shqipërisë. Në fjalën e tij, Obama vlerësoi progresin reformator të Shqipërisë dhe njëherazi mbështetjen e paçmueshme ndaj Aleancës, ku duhet theksuar se vendi ynë është pjesëmarrës me trupa ushtarake përkrah NATO-s, në misionet e ndryshme me qëllim zbutjen e konflikteve dhe arritjen e paqes në mbarë botën. Pas nisjes së punimeve të samitit, Presidenti Obama i dorëzoi Presidentit Bamir Topi dokumentin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, që shënon aderimin formal në këtë aleancë.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jaap de Hoop Scheffer, deklaroi në fillim të punimeve të samitit se “në këtë seancë solemne NATO mirëpret dy vende ballkanike Shqipërinë dhe Kroacinë”.
Përpos kësaj, nuk munguan edhe përgëzimet e aktorëve botërore politikë të pranishëm në samit, të cilët i përcollën vlerësimet dhe përshëndetjet kryeministrit Berisha, për këtë arritje historike, të vendit tonë, me anëtarësimin e plotë në NATO, përkrah vendeve më demokratike të botës.
Kësisoj, pas një epoke të stërzgjatur, të dhimbshme dhe të vështirë për vendin tonë, duke përjetuar dhe duke u ndeshur me një nga regjimet diktatoriale më të egra dhe më çnjerëzore që ka njohur ndonjëherë globi, tashmë flamuri zyrtar i Shqipërisë valëvitet me krenari përkrah flamujve të 27 shteteve të tjera
Sipas vendimit të pjesëmarrësve në këtë samit, kryeministri danez, Anders Fogh Rasmussen, do të jetë Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, i cili zëvendëson Jaap de Hoop Schefferin.
Fillimisht, Turqia e kundërshtonte kandidaturën e Rasmussen dhe madje rrezikoi vënien e vetos, për shkak të mënyrës sesi e trajtoi ai polemikën me karikaturat daneze për Profetin Muhamet.
Pas disa orësh negociata Turqia është tërhequr nga kërkesa e saj për mospranimin e Rasmusen si sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe liderët e NATO-s, vendosën në konsensus të plotë zgjedhjen e tij në postin e Sekretari të Përgjithshëm të Aleancës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›